Shqip | English
 

Ligji për Legalizimet



L I G J
Nr. 9482, datë 3.4.2006

PëR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E NDËRTIMEVE PA LEJE

Ndryshuar me ligjin Nr.9786, datë 19.7.2007
Ndryshuar me ligjin Nr.9895, datë 9.6.2008
Ndryshuar me ligjin Nr.10 099, datë 19.3.2009 Shfuqizuar me vendim nr. 3, date 02.02.2009 I Gjykates Kushtetuese
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,



K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I :


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME



Neni 1

Objekti i ligjit
Ky ligj ka për objekt:
1. Legalizimin e ndërtimeve informale dhe të objekteve me leje, me shtesa informale në objekt".
2. Kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore, ku është ngritur ndërtimi pa leje, sipas përcaktimit të bërë në nenet 19, 20, 21 e 22 të këtij ligji.
3. Urbanizimin e zonave, blloqeve informale e të ndërtimeve informale, si dhe integrimin e tyre në zhvillimin territorial dhe infrastrukturor të vendit, duke përmirësuar kushtet e jetesës.
4. Procedurat për realizimin e legalizimit të ndërtimeve informale/objekteve me leje, me shtesa informale në object dhe ngritjen e funksionimin e strukturave përgjegjëse për realizimin e tyre.



Neni 2

Fusha e zbatimit

1. Ky ligj zbatohet për të gjitha objektet e ndërtuara pa leje, të ngritura para datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, pavarësisht nëse ato kanë funksion strehimi, veprimtarie ekonomike apo funksione të tjera social-kulturore, të ngritura dhe që disponohen nga individë apo persona juridikë të regjistruar e që veprojnë sipas të drejtës tregtare shqiptare.
Këshilli i Ministrave përcakton kriteret, procedurat dhe dokumentacionin e zbatueshëm për të kualifikuar objektet në ndërtime, që legalizohen ose jo.
2. Ngrehinat funksionale (mure rrethuese) dhe objektet ndihmëse (garazh etj.) në shërbim të ndërtimeve pa leje, të përfunduara brenda afatit të parashikuar sipas pikës 1 të këtij neni, legalizohen vetëm në qoftë se janë ngritur brenda sipërfaqes së parcelës ndërtimore, që legalizohet sipas neneve 19, 20, 21 e 22 të këtij ligji. 3. Shfuqizohet.
4. Fusha e veprimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet pa leje të ngritura mbi troje private brenda vijës së verdhë, kur planet rregulluese urbanistike parashikojnë ndërtime mbi 5 kate nga niveli zero. 4/1 Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet informale mbi 3 kate, të ngritura në troje private, brenda vijës së verdhë, kur ato nuk janë shtesa informale në objekt, sipas përcaktimit të bërë në nenin 1 të këtij ligji.
4/2. Fusha e zbatimit të këtij ligji nuk shtrihet për ndërtimet informale brenda një distance prej 100 metrash nga akset rrugore kombëtare, me përjashtim të rasteve kur ndërtimi informal përfshihet brenda një zone informale të miratuar
5. Të gjitha ndërtimet e tjera pa leje, të cilat nuk u përgjigjen kushteve të përcaktuara në pikat 1, 2, 3 dhe 4 të këtij neni, si dhe ato për të cilat nuk është kërkuar legalizimi brenda afatit të përcaktuar në pikën 1 të nenit 7 të këtij ligji, prishen sipas ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 "Për inspektimin e ndërtimit".


Neni 3

Përkufizime


Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:

a) "Ndërtim pa leje" është objekti, për të cilin është përfunduar konstruksioni dhe mbulesa, i destinuar për banim, veprimtari ekonomike dhe/ose funksione të tjera (si për shembull, social-kulturor, arsim, shëndetësi e të tjera të këtij lloji), (shfuqizohen), për të cilin nuk janë respektuar procedurat e përcaktuara në ligjin nr. 8405, datë 17.9.1998 "Për urbanistikën".
Në ndërtimet pa leje bëjnë pjesë edhe tejkalimet dhe shtesat informale të objekteve të ndërtuara me leje brenda vendbanimeve formale nga subjekte, persona fizikë dhe juridikë, privatë, për qëllime shitblerjeje/qiradhënieje (banesa, zyra, dyqane, punishte, parkim etj.) ose për vete.

b) "Zonë me ndërtime të legalizuara" është territori me sipërfaqe mbi 5 ha, i zënë nga ndërtime të legalizuara, që nuk gëzon mbrojtje të veçantë nga aktet ligjore e nënligjore në fuqi.

c) "vendbanim me ndërtime të legalizuara" është territori me sipërfaqe mbi 5 ha, i miratuar zyrtarisht për zonë të banuar urbane (qytet) ose rurale (fshat), i zënë nga ndërtime të legalizuara.

ç) "bllokbanim me ndërtime të legalizuara" është territori me sipërfaqe mbi 1 ha deri në 5 ha, brenda ose jashtë vendbanimit formal, i zënë me ndërtime të legalizuara.

d) "kufiri i zonës/vendbanimit/bllokbanimit me ndërtime të legalizuara" është vija gjeografike e shtrirjes territoriale të ndërtimeve të legalizuara, për të cilin do të miratohet studimi urbanistik, sipas dispozitave në fuqi, nga KRRTRSH-ja dhe/ose KRRT-të përkatëse.

dh) "Vendbanim formal" është territori i përfshirë brenda vijave kufizuese (të verdha), të miratuara zyrtarisht për zonat e banuara urbane (qytet) ose rurale (fshat).
e) Shfuqizohet

ë) "Territore të tjera" janë tokat bujqësore (tokë arë, sipërfaqe fruti/perime-kulturë, ullishte, vreshta) dhe tokat jobujqësore (pyje, kullota e toka të pafrytshme).

f) "Parcela ndërtimore" janë sipërfaqet e zëna nga pronari i ndërtimit pa leje.

g) "Pronar i ndërtimit pa leje" është personi fizik ose juridik, që ka kryer vetë ose ka qenë investitor i ndërtimit pa leje dhe vërteton se e posedon ose e disponon lirisht atë dhe parcelën ndërtimore, pavarësisht nga fakti se pronësia mbi to është e paregjistruar në emër të tij në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme (ZRPP).

gj) "Leje legalizimi" është dokumenti, që lëshohet sipas procedurës së përcaktuar në këtë ligj nga zyra përkatëse e ALUIZNI-t dhe që shërben për regjistrimin e objektit në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme.

gj/1) "kartela e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të legalizuar" është dokumenti, që hartohet nga ALUIZNI, për regjistrimin fillestar të pasurisë së paluajtshme të legalizuar

h) "Njësi e qeverisjes vendore" janë komuna dhe bashkia. Njësia bashkiake (për Tiranën) dhe qarku referohen në këtë ligj jo me emërtimin "njësi e qeverisjes vendore", por përkatësisht me emërtimin "njësia bashkiake" dhe "qarku".

i) "ALUIZNI" është agjencia e posaçme shtetërore e krijuar sipas këtij ligji, me emërtimin "Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale", e cila (Shfuqizohen) jep lejen e legalizimit sipas këtij ligji. (Shfuqizuar nga GJK)



KREU II

ORGANET QENDRORE DHE VENDORE PëR LEGALIZIMIN, URBANIZIMIN DHE INTEGRIMIN E ZONAVE/NDëRTIMEVE DHE SHTESAVE INFORMALE



Neni 4
Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale

1. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) është institucioni përgjegjës për:
a) realizimin e procesit të legalizimit dhe përgatitjen për regjistrim fillestar të ndërtimeve informale, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë ligj; (Shfuqizuar nga GJK)
b) bashkëpunimin dhe njësimin e procedurave me organet qendrore shtetërore dhe njësitë e qeverisjes vendore, për procesin e legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të zonave/vend-banimeve/bllokbanimeve me ndërtime të legalizuara; c) programimin e fondeve nga Buxheti i Shtetit për legalizimin dhe urbanizimin e territoreve informale;
ç) krijimin dhe përpunimin e informacionit hartografik, në shkallë 1:500 – 1:5000, që do të përdoret për procesin e legalizimit dhe të urbanizimit të ndërtimeve informale, si dhe për investime në infrastrukturë, në nivel kombëtar; (Shfuqizuar nga GJK)
d) dhënien e lejes së legalizimit, sipas nenit 28 të këtij ligji.
2. ALUIZNI, në zbatim të detyrave të vendosura nga ky ligj, kryen:
a) fushatën kombëtare të informimit dhe të sensibilizimit të qytetarëve, në bashkëpunim me mjetet e informimit të gjerë publik, në nivel kombëtar;
b) verifikimin dhe përditësimin në terren të ndërtimeve informale, si dhe pasqyrimin e tyre në hartën e përftuar nga fotografimi ajror; (Shfuqizuar nga GJK)
c) ngritjen e bazës së të dhënave për ndërtimet pa leje dhe ecurinë e legalizimit;
ç) përgatitjen e manualeve të procedurave, udhëzimeve dhe formularëve.
3. Mënyra e organizimit dhe e funksionimit të kësaj agjencie, të drejtorisë qendrore, drejtorive në nivel qarku dhe zyrave pranë njësive të veçanta të qeverisjes vendore përcaktohen nga Këshilli i Ministrave



Neni 5

Detyrat e njësisë së qeverisjes vendore
Sipas këtij ligji, njësia e qeverisjes vendore ka këto detyra:
a) ngre strukturat e nevojshme për pranimin, trajtimin dhe kontrollin e vetëdeklarimeve të objekteve pa leje, si dhe për zbatimin e detyrave të përcaktuara në këtë ligj, për kryerjen e procesit të legalizimit.
Në Bashkinë e Tiranës vetëdeklarimi kryhet pranë 11 njësive bashkiake të qeverisjes vendore, njësi të krijuara dhe të organizuara sipas ligjit nr.8654, datë 31.7.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës"
b) identifikon në terren ndërtimet pa leje, për të cilat nuk është bërë vetëdeklarimi, identifikon të gjitha rastet eventuale të ndërtimeve pa leje, të kryera pas miratimit të këtij ligji dhe nis procedurat për prishjen e tyre, sipas sipas ligjit nr.9780, datë 16.7.2007 "Për inspektimin e ndërtimit"
c) Shfuqizohet; (Shfuqizuar nga GJK)
ç) administron të ardhurat e krijuara dhe monitoron përdorimin e tyre në përputhje me këtë ligj;
d) bashkërendon punën, sipas rastit, me këshillin e qarkut, ALUIZNI-n, ministritë e linjës dhe KRRTRSH-në, për mbarëvajtjen dhe ecurinë e procesit të legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të zonave informale.



Neni 6

Detyrat e njësisë së urbanistikës të njësisë së qeverisjes vendore
Njësia e urbanistikës pranë njësisë së qeverisjes vendore, sipas këtij ligji, ka këto detyra:
a)Shfuqizohet; (Shfuqizuar nga GJK)
b) Shfuqizohet; (Shfuqizuar nga GJK)
c) harton detyrat e projektimit për studimet urbanistike dhe harton ose porosit studimet urbanistike, sipas këtij ligji;
ç) mbledh dokumentacionin gjatë procesit të vetëdeklarimit dhe ia dorëzon atë zyrës përkatëse të ALUIZNI-t për shqyrtim për leje legalizimi.
Për ushtrimin e përgjegjësive të caktuara në këtë ligj, këto struktura mund të punësojnë personel shtesë.



KREU III

PROCEDURAT DHE AFATET




Neni 7

Vetëdeklarimi
1. Të gjitha subjektet që disponojnë ndërtime pa leje janë të detyruara që, duke filluar nga 60 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, t'i vetëdeklarojnë ato (objektin pa leje dhe parcelën ndërtimore) pranë zyrës së urbanistikës të njësisë përkatëse.
1.1. Zyra e urbanistikës pranë njësisë së qeverisjes vendore, në përputhje me detyrat e ngarkuara nga ky ligj, është e detyruar të pranojë vetëdeklarimet për një periudhë 4-mujore nga data e fillimit të afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni. Për organet e qeverisjes vendore, të organizuara në njësi administrative ose rajone, vetëdeklarimi kryhet pranë këtyre njësive ose zyrave të rajonit.
Ndërtimi pa leje dhe sipërfaqja e parcelës ndërtimore vetëdeklarohen sipas formularit, që i bashkëlidhet këtij ligji dhe është shtojca "A" e tij.
2. Periudha e vetëdeklarimit është një proces vullnetar për të gjitha subjektet gjatë 2 muajve të parë, ndërsa gjatë 2 muajve të dytë të saj procesi i vetëdeklarimit shoqërohet me sanksione, sipas nenit 8 të këtij ligji. Sanksionet e zbatuara sipas nenit 8 të këtij ligji, kalojnë për llogari të qeverisjes vendore ku kryhet vetëdeklarimi.



Neni 8

Sanksionet e zbatueshme për mosrespektim afati

Kur vetëdeklarimi nuk kryhet brenda afateve ligjore të përcaktuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 7 të këtij ligji, vendoset kjo masë gjobe:
I. Për "vendbanimet informale" dhe "territore të tjera":
a) brenda muajit të tretë, vetëdeklarimi shoqërohet me gjobë 10 lekë për metër katror sipërfaqe toke të zënë;
b) brenda muajit të katërt, vetëdeklarimi shoqërohet me gjobë 20 lekë për metër katror sipërfaqe toke të zënë;
c) në përfundim të afatit të vetëdeklarimit subjektit i humb e drejta e legalizimit.

II. Për "vendbanimet formale" zbatohen të njëjtat tarifa dhe afate, por i referohen:
sipërfaqes së parcelës, për ndërtime "vila"
b) sipërfaqes së ndërtuar (m² ndërtim) për shtesa familjare, jo për qëllime shitblerjeje;
c) sipërfaqes së ndërtuar (m² ndërtim) shumëzuar me koeficentin 3, për shtesa komerciale nga subjektet fizike dhe juridike, për qëllime shitblerjeje/qiradhënieje.



Neni 9

Zyra përgjegjëse për vetëdeklarim

Vetëdeklarimi nga subjektet, që kanë ngritur ndërtimet pa leje, kryhet pranë zyrës së urbanistikës në njësinë vendore, në territorin e së cilës është ndërtuar objekti pa leje. Për Bashkinë e Tiranës vetëdeklarimi kryhet në njësitë bashkiake, në territorin e së cilës ndodhet trualli, sipas nenit 3 të ligjit nr.8654, datë 31.7.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Bashkisë së Tiranës".
Në rastet kur:
a) ndërtimi pa leje ndodhet në situata të paqarta administrative, atëherë ato vetëdeklarohen pranë njësisë më të afërt të qeverisjes vendore, duke pasur si kriter orientimi njësinë vendore, që ka regjistruar personin fizik ose banorët e zonës si votues në listën zgjedhore për zgjedhjet për legjislaturën e 17-të të Kuvendit;
b) ndërtimi pa leje shtrihet në kufijtë administrativë të më shumë se një njësie vendore, atëherë ndërtimi deklarohet pranë njësisë vendore që zë sipërfaqen më të madhe të parcelës ndërtimore.



Neni 10

Procedura e legalizimit të ndërtimeve pa leje
(Shfuqizuar nga GJK)

Për legalizimin e ndërtimeve informale ndiqen procedurat e mëposhtme:

a) njësia e qeverisjes vendore, ku janë ngritur ndërtimet informale të vetëdeklaruara, kryen kualifikimin e tyre dhe dërgon pranë drejtorisë rajonale të ALUIZNI-t, brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, dokumentacionin e mbledhur gjatë fazës së vetëdeklarimit dhe argumentimin tekniko-ligjor të kualifikimit.
Në rast se pas kalimit të afateve, zyrat e urbanistikës apo këshillat e qarqeve nuk ushtrojnë përgjegjësitë e përcaktuara në këtë nen, atëherë ALUIZNI merr përsipër ushtrimin e tyre. Afatet, mënyra dhe koha e ushtrimit të këtyre përgjegjësive përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave
Kur njësia e qeverisjes vendore nuk ushtron përgjegjësinë për kualifikimin e objekteve informale, brenda afatit, kjo përgjegjësi ushtrohet nga ALUIZNI;

b) drejtoria rajonale e ALUIZNI-t bën përpunimin e të dhënave të ndërtimeve pa leje, në përputhje me situatën e paraqitur nga fotografimi ajror dixhital, sipas ndarjes kadastrale;

c) për ndërtimet informale, që nuk përjashtohen nga legalizimi, sipas nenit 39 të këtij ligji, ALUIZNI plotëson dokumentacionin tekniko-ligjor;

ç) përgjatë procedurës së hartimit dhe plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI, në bashkëpunim me ZRPP-në, identifikon rastet kur parcela ndërtimore, në të cilën është ngritur objekti informal, figuron e regjistruar në regjistrat e pronave të paluajtshme në pronësi të të tretëve;

d) ALUIZNI i dërgon Këshillit të Ministrave, për vendimmarrje, materialin me të dhënat për çdo pronar të ligjshëm dhe për sipërfaqet takuese, jo më vonë se 30 ditë nga data e dërgimit të listës paraardhëse. Afati i parë për dërgimin e kësaj liste është data 1 gusht 2008;

dh) pas plotësimit të dokumentacionit, ALUIZNI miraton legalizimin e ndërtimit informal dhe lëshon lejen e legalizimit


Neni 11

Shqyrtimi në KRRTRSH
Shfuqizohet (Shfuqizuar nga GJK)


Neni 12

Bashkërendimi i punës ndërmjet njësive të qeverisjes vendore dhe ALUIZNI-t
1. Njësitë e qeverisjes vendore dorëzojnë, rregullisht çdo muaj, pranë ALUIZNI-t, të dhëna të plota për numrin e objekteve të vetëdeklaruara, të shqyrtuara, kërkesat për legalizim së bashku me dokumentacionin shoqërues, larminë dhe tipologjinë e ndërtimeve dhe/ose zonave informale, vëllimin e investimeve, pagesat e taksës për ndikimin në infrastrukturë për ndërtimet e reja, sanksione në kuptim të këtij procesi, si dhe raporte për çështje të vështirësive të hasura dhe problemeve të dala për zgjidhje etj.
2. Mënyra e plotësimit të këtyre të dhënave, si dhe ruajtja e tyre përcaktohen me udhëzim të ministrit, që mbulon çështjet e territorit.



Neni 13

Pezullimi i procedurave në zona të ndotura

1. Këshilli i Ministrave ka të drejtë të pezullojë zbatimin e procedurave të legalizimit të objekteve pa leje, në territore me nivel të lartë ndotjesh mjedisore, si dhe të zbatojë ose të planifikojë strategji për eliminimin e ndotjeve të mjedisit në zonë sipas afateve konkrete. Këshillat e qarkut paraqesin, brenda 30 ditëve nga përfundimi i afatit të caktuar, sipas nenit 7 të këtij ligji, propozimet konkrete për pezullimin e procedurës së legalizimit për shkak të nivelit të lartë të ndotjes.
Këshilli i Ministrave e shqyrton propozimin e paraqitur brenda 30 ditëve nga depozitimi i të gjithë dokumentacionit dhe merr vendim për këtë çështje.
2. Njësitë e qeverisjes vendore, 2 muaj pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, duhet të identifikojnë dhe të regjistrojnë të gjithë banorët e vendosur në zona të njohura dhe problematike për nivelin e ndotjeve dhe të njoftojnë me shkrim ALUIZNI-n.
3. Kryetari i njësisë së qeverisjes vendore, në bashkëpunim me inspektoratin ndërtimor e urbanistik të bashkisë/komunës/qarkut, merr masa të posaçme për parandalimin e ngritjes së ndërtimeve të reja në këto zona.



Neni 14

Efektet juridike të vendimmarrjes së KRRTRSH-së
Shfuqizohet. (Shfuqizuar nga GJK)


KREU IV
KALIMI I PRONëSISë Së PARCELëS NDëRTIMORE




Neni 15

Regjistrimi i pasurisë në ZRPP
Për ndërtimet e legalizuara, ALUIZNI përgatit dokumentacionin për regjistrim në regjistrat e pronave të paluajtshme pranë ZRPP-së, në përputhje me ligjin nr.7843, datë 13.7.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme" të ndryshuar



Neni 15/1

Kompensimi i ish-pronarëve
1. Për rastet e parashikuara në shkronjën "d" të nenit 10, Këshilli i Ministrave merr vendim për shpërblimin e pronarëve dhe për sipërfaqet takuese, brenda 30 ditëve nga afati i dorëzimit të listës.
2. Zyrat rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave kompensojnë subjektet brenda 3 muajve, në përputhje me vendimin e Këshillit të Ministrave për shpërblimin e pronarëve.
3. Për efekt të përllogaritjes së sipërfaqes së parcelës ndërtimore, të zënë nga ndërtimi informal, që kompensohet, agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave në qark e trajton atë si truall, në përputhje me metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme, që kompensohet dhe asaj që do të shërbejë për kompensim, sipas ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar.



Neni 16

Rregullim specifik për ata që disponojnë parcelën, sipas një akti të ligjshëm të paregjistruar

1. Nëse subjekti, që disponon objektin pa leje, posedon kontratën e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore, të lidhur ose të vërtetuar përpara noterit publik, me pronarin e ligjshëm vetë ose nga personi, i cili i ka kaluar të drejtën e pronësisë, pavarësisht nga numri i transaksioneve të kryera, ai i dorëzon ato në drejtorinë rajonale të ALUIZNI-t.
2. Për të gjithë këtë rreth personash, që posedojnë këto kontrata, kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore regjistrohet sipas kontratës, duke paguar vetëm tarifën në fuqi për regjistrimin në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, pa kamatëvonesë dhe taksa të zbatueshme.
Në kuptim të këtij neni, termi "kontratë" i referohet çdo veprimi juridik për kalimin e pasurisë së paluajtshme të njohur nga dispozitat e Kodit Civil në formën e një kontrate të veçantë, përfshirë edhe marrëveshjet e lidhura apo të vërtetuara përpara një noteri publik, me objekt disponime të pronësisë së paluajtshme.
3. Pronari, i cili ka kryer kalimin e parcelës ndërtimore, në përputhje me pikën 2 të këtij neni, zhvishet nga e drejta e kompensimit të pronës sipas këtij ligji ose sipas ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave".



Neni 17

Kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore
ALUIZNI, me vendim të Këshillit të Ministrave, ngarkohet të kryejë procedurat për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje

1. Kalimi i pronësisë së parcelës ndërtimore ose truallit (Shfuqizohen) bëhet sipas dispozitave të Kodit Civil. Për efekt legalizimi parcela ndërtimore, si rregull, nuk i kalon 500m2. Sipërfaqet e truallit mbi 500m2, të cilat për shkak të përmasave ose konfiguracionit nuk mund të shfrytëzohen më vete për ndërtim, i bashkëlidhen paracelës ndërtimore dhe i shiten pronarit të truallit me çmim tregu.
2. çmimi i truallit të parcelës ndërtimore, për ndërtimet pa leje me destinacion strehimi, përcaktohet sipas neneve 19, 20, 21 e 22 të këtij ligji. Kur objekti pa leje ka destinacion social-ekonomik apo shfrytëzohet sipas këtij destinacioni, çmimi i truallit për metër katror paguhet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë. Kur objekti pa leje ka destinacion të përzier strehimi dhe veprimtarie social-ekonomike, çmimi i shitjes së truallit paguhet sipas çmimit të përcaktuar për shitje trualli për metër katror për banim, shumëzuar me koeficientin e shfrytëzimit të ndërtesës për destinacion social-ekonomik. Koeficienti caktohet nga Këshilli i Ministrave sipas raportit të shfrytëzimit të ndërtesës gjithsej.
3. ALUIZNI përcakton destinacionin e objektit, sipas verifikimit në terren. (Shfuqizuar nga GJK)



Neni 18

1. Likuidimi i çmimit të truallit të parcelës ndërtimore bëhet menjëherë në çastin e nënshkrimit të kontratës. Përjashtim nga rregulli i mësipërm bëhet vetëm për likuidimin e çmimit të ndërtimeve me destinacion banimi. Në këto raste, në mungesë të aftësisë paguese, subjekti ka të drejtë të shlyejë çmimin e blerjes, sipas kërkesës së tij, me dy këste që shlyhen brenda 1 viti nga data e kontratës. Subjekti, që ndodhet në kushtet e paaftësisë financiare, duhet të deklarojë këtë fakt në çastin e vetëdeklarimit të ndërtimit pa leje. Ky vetëdeklarim konsiderohet i mirëqenë.

2. Zyra qendrore e ALUIZNI-t ka të drejtë të miratojë zgjatjen e afatit të pagesës së detyrimit për subjektin individual, i cili nuk ka likuiduar këstin sipas kontratës. Afati maksimal për përmbushjen e këtij detyrimi është jo më shumë se 3 vjet të tjerë. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, në varësi të rasteve të deklaruara për paaftësi paguese, të përcaktojë mënyrat dhe procedurat alternative për shlyerjen e detyrimit. Likuidimi i çmimit të kontratës së shitjes kryhet në numrin e llogarisë bankare të çelur për këtë qëllim nga ALUIZNI.



Neni 19

çmimi i shitjes në zonat informale
Për parcelat ndërtimore jashtë vijave të verdha çmimi është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 100 m² - 100 mijë lekë;
b) për sipërfaqe deri në 200 m² - 150 mijë lekë;
c) për sipërfaqe deri në 300 m² - 200 mijë lekë;
ç) për sipërfaqe deri në 400 m² - 300 mijë lekë;
d) për sipërfaqe deri në 500 m² - 400 mijë lekë;
dh) për sipërfaqe mbi 500 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.



Neni 20

çmimi i shitjes brenda vijave të verdha
Për parcelat ndërtimore të vendbanimeve/ndërtimeve informale brenda vijave të verdha çmimi i shitjes është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 100 m² - 200 mijë lekë;
b) për sipërfaqe deri në 200 m² - 300 mijë lekë;
c) për sipërfaqe deri në 300 m² - 400 mijë lekë;
ç) për sipërfaqe mbi 300 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.
Kur ndërtimi pa leje ka destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.



Neni 21

çmimi i shitjes brenda vijave të verdha të shtesave në ndërtime
1. Për sipërfaqet e trojeve, të zëna me shtesa anësore pa leje në ndërtime me leje (jo për shitblerje/qiradhënie etj.), brenda vijave të verdha, çmimi i shitjes është si më poshtë:
a) për sipërfaqe deri në 50 m² - 100 mijë lekë;
b) për sipërfaqe deri në 75 m² - 200 mijë lekë;
c) për sipërfaqe deri në 100 m² - 400 mijë lekë;
ç) për sipërfaqe mbi 100 m² sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.

2. Kur shtesat kanë destinacion zhvillimin e veprimtarive social-ekonomike, pagesa e truallit realizohet sipas vlerës së tregut në çastin e kalimit të pronësisë.



Neni 22

Pagesa në "territore të tjera"
Për parcelat ndërtimore në "territore të tjera" zbatohen të njëjtat tarifa, sipas nenit 19 të këtij ligji, por shteti nuk angazhohet të investojë për infrastrukturën në këto territore. Këshilli i njësisë vendore, përpara se të vendosë kalimin e pronësisë në favor të subjektit, kërkon miratim të posaçëm nga:

a) këshilli i qarkut dhe Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për toka të kategorisë bonitete (1-4);
b) këshilli i qarkut për toka të kategorisë (5-10).



Neni 23

Taksa e ndikimit në infrastrukturë
Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë zbatohet në kufirin minimal, të përcaktuar për njësinë vendore përkatëse, sipas pikës 2 të nenit 27 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006 "Për sistemin e taksave vendore", të ndryshuar".



Neni 24

Zbatimi i legalizimit në zona pilot
Për zonat informale të përfshira në "Zonat pilot" të Projektit të Menaxhimit të Tokës Urbane, të financuar nga Banka Botërore, taksa e ndikimit në infrastrukturë është e barabartë me diferencën e taksës së parashikuar sipas këtij ligji dhe shumës së kontributit financiar, që poseduesi i ndërtimit pa leje ka dhënë deri në çastin e legalizimit për rregullimet e kryera në infrastrukturën e zonës së tij, nëse kjo diferencë është pozitive.



Neni 25

Rastet kur subjekti disponon më shumë se një ndërtim informal
1. Në rast se një subjekt deklaron më shumë se një ndërtim informal, atëherë ai ka të drejtë të zgjedhë se për cilin objekt do të përfitojë transferimin e kalimit të pronësisë dhe legalizimin sipas tarifave të këtij ligji. Për objektet e tjera zbatohet çmimi dhe tarifa e taksës, sipas vlerës së tregut dhe masës në fuqi, pavarësisht nga kategorizimi i objekteve në fjalë dhe madhësia e parcelës respektive të truallit.
2. Deklarata noteriale për heqjen dorë nga ushtrimi i së drejtës për parcelën ndërtimore për këtë subjekt nuk do të sjellë më pas asnjë pasojë dhe subjekti trajtohet sipas pikës 1 të këtij neni.



Neni 26

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve për të drejta mes vetë subjektit
1. Nëse gjatë legalizimit ka mosmarrëveshje për raportet e pronësisë në objekt ose/dhe rreth përfshirjes së personave të tjerë, të cilët pretendojnë të drejta mbi parcelën ndërtimore, që legalizohet sipas këtij ligji, kjo mosmarrëveshje zgjidhet nga gjykata.
2. Gjatë shqyrtimit të konfliktit gjyqësor procedurat për legalizim të objektit pezullohen dhe rifillojnë sipas kushteve të këtij ligji, pasi vendimi gjyqësor të jetë i formës së prerë, me kushtin që ndërtimi pa leje të jetë vetëdeklaruar sipas afatit të përcaktuar në nenin 7 të këtij ligji.



Neni 27

Dokumentacioni tekniko-ligjor për legalizimin e objektit
Dokumentacioni tekniko-ligjor për legalizimin e ndërtimit informal përfshin:

a) gen-planin e objektit në shkallën 1:500, të përgatitur nga ALUIZNI; (Shfuqizuar nga GJK)
b) planimetrinë e çdo kati të objektit dhe sipërfaqet në m2, që do të legalizohen në shkallë 1:100;
c) certifikatën e përbërjes familjare;
ç) vërtetimin për likuidimin e taksës së ndikimit në infrastrukturë për të gjitha rastet, kur subjekti nuk përjashtohet nga pagesa e taksës sipas këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi;
d) vërtetimin ose certifikatën e pronësisë së parcelës ndërtimore nga ZRPP-ja përkatëse (pasi subjekti të jetë pajisur me të sipas këtij ligji, kur ai e disponon menjëherë gjatë vetëdeklarimit) dhe/ose çdo akt tjetër ligjor për fitimin e pronësisë;
dh) deklaratën personale, që merr përsipër përgjegjësinë për çdo pasojë, që mund të rrjedhë nga shkaqe natyrore dhe/ose nga përdorimi i banesës. Sipas këtij ligji, shteti nuk është përgjegjës për kompensimin ose dëmshpërblim në raste fatkeqësish, për shkak të faktorëve, që ndikojnë në qëndrueshmërinë e objektit
e) deklaratën ku pranohet zbatimi i planit rregullues, përfshi respektimin e hapësirave publike, gjelbërimin, tipin e rrethimit, ngjyrat, ndriçimin, parkimin etj.;
ë) marrëveshjen noteriale për pjesët takuese, sipas pikës 2 të nenit 30 të këtij ligji, nëse ajo realizohet. Për çështjet e mësipërme, subjekti kërkues, i interesuar për legalizimin e objektit pa leje, paguan tarifën e shërbimit (Shfuqizohen) (Shfuqizuar nga GJK)



Neni 28

Dhënia e lejes së legalizimit
(Shfuqizuar nga GJK)

ALUIZNI, me plotësimin e të gjithë dokumentacionit të përcaktuar në nenin 27 të këtij ligji, pajis subjektin me lejen e legalizimit. I njëjti rregull zbatohet edhe për objektet me leje, me shtesa informale në objekt, ku leja e legalizimit është e barasvlefshme me lejen e shfrytëzimit, të përcaktuar sipas ligjit nr.8402, datë 10.9.1998 "Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit", të ndryshuar. Kriteret dhe procedurat e legalizimit të ndërtimeve informale/objekteve me leje, me shtesa informale në objekt, si dhe formulari i lejes së legalizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 29

Dokumentacioni për regjistrimin e objektit në ZRPP
Leja e legalizimit, e shoqëruar nga dokumentacioni teknik dhe kartela e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme të legalizuar paraqiten nga ALUIZNI në ZRPP për regjistrimin fillestar të objektit në regjistrat e pasurive të paluajtshme, në përputhje me ligjin nr.7843, datë 13.7.1994 "Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme", të ndryshuar.



Neni 30

Regjistrimi i pasurisë

1. Kur ndërtimi pa leje disponohet nga një subjekt, kontrata e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore dhe objektit që legalizohet regjistrohen në emër të subjektit që disponon objektin. Për regjistrimin e pronës së legalizuar, sipas këtij neni, ZRPP-ja zbaton dispozitat e ligjit nr.9062, datë 8.5.2003 "Kodi i familjes", kreu II "Regjimi pasuror martesor në bashkësi".
2. Kur ndërtimi pa leje disponohet nga më shumë se një person fizik ose juridik, regjistrimi i pjesëve takuese mbi pasuritë (parcelë dhe objekt) kryhet:
a) në pjesë të pandara, ideale, sipas numrit të subjekteve;
b) në pjesë takuese të ndara, sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet subjekteve lirisht dhe të depozituar brenda afatit të vetëdeklarimit, sipas nenit 7 të këtij ligji, pranë njësisë së urbanistikës. Subjektet mund të përcaktojnë përveç pjesës takuese edhe pjesët fizike respektive nëse ndërmjet tyre përputhet vullneti.



Neni 31

Urbanizimi i zonave/vendbanimeve/bllokbanimeve me ndërtime të legalizuara

1. Urbanizimi i zonave/vendbanimeve/bllokbanimeve me ndërtime të legalizuara kryhet në bazë të studimeve urbanistike, në përfundim të procesit të legalizimit.

a) Njësia e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me ALUIZNI-n, i propozon KRRT-ve apo KRRTRSH-së, për miratim, kufirin e zonës/vendbanimit/bllokbanimit me ndërtime të legalizuara.
b) Hartimi i studimeve urbanistike realizohet ose porositet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Në çdo rast, studimet urbanistike duhet të respektojnë planet e miratuara nga KRRT-ja e bashkisë/komunës, të hapësirave dhe shesheve publike, për investime në rrugë, infrastrukturë dhe objekte social-kulturore.
c) KRRT-ja e këshillit të qarkut miraton studimin urbanistik për bllokbanimet me ndërtime të legalizuara për qarkun respektiv. Bashkia/komuna vepron për të gjitha territoret brenda vijave të verdha.
ç) Miratimi i studimeve urbanistike për zonat/vendbanimet me ndërtime të legalizuara nga KRRTRSH-ja bëhet në mbledhjen e saj më të afërt, pas miratimit të tyre nga njësia e qeverisjes vendore përkatëse dhe pas dorëzimit në KRRTRSH. Për studimet urbanistike të zonave/vendbanimeve/bllokbanimeve me ndërtime të legalizuara, ALUIZNI përgatit oponencën përkatëse teknike.
d) Për zonat/ndërtimet e legalizuara hartohen normat dhe standardet urbanistike minimale. Ngarkohen ALUIZNI dhe Instituti i Studimeve dhe Projektimeve Urbanistike për hartimin e këtyre normave/standardeve, brenda 2 muajve nga miratimi i këtij ligji. Normat dhe standardet urbanistike minimale miratohen nga KRRTRSH-ja.

2. Për urbanizimin e zonave informale, gjatë procesit të hartimit të studimeve urbanistike dhe realizimit të tyre, mund të kontribuojë edhe komuniteti i zonës, sipas një kontrate bashkëfinancimi dhe kontrolli, të nënshkruar për këtë qëllim.



Neni 32

Ndarja e të ardhurave të arkëtuara nga legalizmi i ndërtimeve pa leje.

1. Të ardhuarat e arkëtuara nga transferimi i pronësisë së parcelës ndërtimore ndahen në:
a) 20 për qind e të ardhurave në buxhetin e njësisë së qeverisjes vendore për investime vendore, në infrastrukturë e shërbime, për zonën/bllokun me ndërtime të legalizuara dhe për sistemimin me banesë të familjeve të pastreha, sipas nenit 35 të këtij ligji;
b) 80 për qind i transferohet Buxhetit të Shtetit, për të kaluar në fondin e kompensimit financiar, të parashikuar nga ligji nr.9235, datë 29.7.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, sipas ligjit.

2. Të ardhurat e arkëtuara nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë, tarifat e shërbimit gjatë procedurës së legalizimit në njësinë vendore, si dhe çdo penalitet tjetër, i cili shoqëron arkëtohen nga ALUIZNI dhe destinohen, (Shfuqizuar nga GJK) sipas këtij ligji, kalojnë për llogari të njësisë vendore, ku kryhet vetëdeklarimi dhe destinohen prej saj për përmirësimin e infrastrukturës dhe urbanizimin e territoreve që legalizohen.

3. Të ardhurat e arkëtuara nga tarifa e shërbimit dhe çdo penalitet tjetër, i cili shoqëron procesin e vetëdeklarimit dhe të legalizimit, përdoren (Shfuqizohen) për përballimin e shpenzimeve, që do të kryhen për përditësimin e zonës me ndërtime pa leje, për përgatitjen e dokumentacionit tekniko-ligjor të nevojshëm për legalizimin e objekteve (Shfuqizohen)

4. Mënyra, koha e mbledhjes së këtyre të ardhurave, vlera e tarifës së shërbimit dhe administrimi i saj përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave



Neni 33

Dispozitë detyruese

Mosdeklarimi brenda afatit kohor, si dhe mosparaqitja nga subjekti vetëdeklarues i dokumentacionit të plotë ligjor, sjell përjashtimin nga procesi i legalizimit, urbanizimit dhe integrimit të ndërtimeve informale dhe prishjen e objektit pa leje, në përputhje me ligjin nr. 9780, datë 16.7.2007 "Për inspektimin e ndërtimit



Neni 34

Njohja e sipërfaqes së parcelës ndërtimore për efekt kompensimi
1. Subjektet, që bëhen pronare të parcelave ndërtimore, në zbatim të dispozitave të këtij ligji dhe që në të njëjtën kohë janë subjekt i zbatimit të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, përfitojnë kthim ose kompensim vetëm në masën, që i përgjigjet diferencës ndërmjet vlerës së pasurisë së paluajtshme të shpronësuar dhe vlerës së parcelës ndërtimore. Në rast se kjo diferencë është negative, ata nuk përfitojnë nga ligji nr.9235, datë 29.7.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar. Kjo dispozitë nuk shtrin efektet e saj, nëse kalimi i pasurisë së parcelës ndërtimore te subjekti është kryer sipas pikës 1 të nenit 16 të këtij ligji.

2. Në përcaktimin e vlerës së përmendur në pikën 1 të këtij neni zbatohet metodika në fuqi për Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe përfshihet në vlerën e pasurisë edhe pagesa e kryer nga subjekti për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore sipas këtij ligji.

3. Këshilli i Ministrave përcakton kriteret e procedurat për bashkëveprimin e punës për identifikimin e këtyre subjekteve mes Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe organeve të qeverisjes vendore dhe ZRPP-së.



Neni 35

Trajtimi i rasteve të veçanta brenda vijës së verdhë për efekt të planit rregullues

Për ndërtimet pa leje, të parashikuara në pikën 4 të nenit 2 të këtij ligji:
1. Familja që disponon ndërtimin pa leje në këtë territor, do të përfshihet në kategorinë e familjeve të pastreha. 2. Statusi i parcelës ndërtimore nuk ndryshon, e drejta e zhvillimit të saj i përket pronarit të ligjshëm dhe objekti pa leje shfrytëzohet nga familja që e disponon atë, deri në momentin e sistemimit me banesë.
3. Procedura dhe mënyra e sistemimit me banesë të familjeve të pastreha, sipas këtij ligji, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
4. Inspektorati ndërtimor e urbanistik i bashkisë/komunës/qarkut ndërhyn për prishjen e objektit me njoftimin nga ALUIZNI, kur disponuesi i ndërtimit pa leje është sistemuar me banesë



KREU V
LEGALIZIMI I SHTESAVE Në NDëRTIME




Neni 36

Legalizimi i objekteve me shtesa
Ky ligj i shtrin efektet edhe për legalizimin e objekteve, me leje ndërtimi nga KRRT-të apo KRRTRSH-ja, tek të cilat janë kryer shtesa anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit, si dhe për legalizimin e shtesave, në objektet e ngritura përpara vitit 1993.
Këtu përfshihet edhe legalizimi i objekteve të miratuara me vendim të KRRT-së së njësisë së qeverisjes vendore ose të KRRTRSH-së, të cilat kanë ndryshime në funksionin e hapësirave.



Neni 37

Fillimi i procedurës së legalizmit
çdo subjekt, i cili ka kryer ndërtime, sipas nenit 35 të këtij ligji, është i detyruar t'i vetëdeklarojë ato në zyrën e urbanistikës pranë KRRT-së përkatëse, sipas afatit të përcaktuar në nenin 7 të këtij ligji dhe të dokumentacionit të përcaktuar për legalizim. (Shfuqizohen) Subjekti paraqet në zyrën e urbanistikës, përveç kopjes së lejes ekzistuese (kur objekti është ndërtim pas vitit 1993), edhe këto dokumente:
a) deklaratën noteriale, ku projektuesi i licencuar i konstruksionit të ndërtimit, zbatuesi dhe investitori garantojnë së bashku qëndrueshmërinë konstruktive të objektit në legalizim, të shoqëruar me oponencën e institucioneve të specializuara, të përcaktuar sipas urdhrit të ministrit, që mbulon veprimtarinë e planifikimit të territorit;
b) në rastet kur subjekti nuk mund të sigurojë dokumentin sipas shkronjës "a" të këtij neni, atëherë ai është i detyruar të paraqesë një akt ekspertimi nga një ekspert ose ent i licencuar për qëndrueshmërinë konstruktive të objektit;
c) aktmarrëveshjen me pronarin e truallit për shtesën, nëse është ndërtuar në territor privat. Kur subjekti dhe pronari i truallit nuk kanë marrëveshje të veçantë për shtesën pa leje, pjesë përbërëse e dokumentacionit të kërkuar është marrëveshja për ndërtimin e investimit kryesor. Të drejtat dhe detyrimet e palëve për investimin kryesor njësohen me të drejtat dhe detyrimet e palëve në shtesën pa leje.
Për objektet e përcaktuara në nenin 36 të ligjit, zyra e urbanistikës së njësisë së qeverisjes vendore përcjell pranë ALUIZNI-t argumentimin tekniko-ligjor të kualifikimit, dokumentacionin e sipërpërmendur, si dhe çdo dokumentacion tjetër që ajo disponon për objektet, në përputhje me afatin e vendosur në nenin 10 shkronja "a" të këtij ligji



Neni 38/1

Legalizimi i ndërtimeve pa leje në territoret me përparësi zhvillimin e turizmit

Legalizimi i ndërtimeve informale në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit do të kryhet pas përcaktimit të vijës kufizuese të këtyre zonave. Ngarkohet Këshilli i Ministrave që, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të ligjit



Neni 39

Përjashtime nga legalizimi

Përjashtohen nga legalizimi të gjitha shtesat në ndërtime, të cilat cenojnë dhe kanë ndikim në planin rregullues, interesin publik në akset/veprat kryesore të infrastrukturës publike (për shembull, bllokim aksesi publik, rrugë, kolektorë, diga, aeroporte ose trung kryesor në infrastrukturë etj.) ose në integritetin e monumenteve të kulturës. Paragrafi i parë i këtij neni e shtrin fuqinë e tij për të gjitha ndërtimet pa leje.



Neni 40

Pezullimi i procedurave të legalizimit

Në rastet kur, si pasojë e shqyrtimit të një mosmarrëveshjeje në gjykim ndërmjet subjektit dhe pronarit të truallit privat/kufitar, gjykata ka vendosur masë sigurimi, procedurat për legalizimin e shtesës së objektit pezullohen dhe rifillojnë sipas këtij ligji, kur masa e sigurimit humb fuqinë e saj, me kusht që shtesa pa leje të jetë vetëdeklaruar, brenda afatit të përcaktuar në pikën 1.1 të nenit 7 të këtij ligji.



Neni 41

Kriteret për legalizimin e shtesave
(Shfuqizuar nga GJK)

ALUIZNI shqyrton kërkesat e paraqitura pranë njësisë së qeverisjes vendore për legalizimin e shtesave dhe u njofton subjekteve, që përmbushin kriteret e dokumentacionit, të paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë dhe gjobën, kur janë objekt i saj, sipas nenit 43 të këtij ligji.(Shfuqizohet)



Neni 42

Procedura dhe kritere të zbatueshme
1. Kur shtesat janë ndërtuar të gjitha ose pjesërisht në territore publike, subjekti paraqet kërkesën për legalizimin e shtesës dhe të truallit publik, mbi të cilin është ndërtuar shtesa sipas këtij ligji. Për kalimin në pronësi të parcelës ndërtimore, në të cilën është ndërtuar shtesa, ndiqen të njëjtët mekanizma nga zyra e urbanistikës si ato të parashikuara në këtë ligj.

2. Nuk legalizohen, në kuptim të këtij ligji, ndërtimet ose shtesat e ndërtimeve pa leje, të kryera brenda territoreve të shkollave dhe institucioneve të tjera publike.

3. Asnjë ndërtim tjetër informal, në kuptim të pikës 2 të këtij neni, nuk legalizohet brenda këtyre territoreve.



Neni 43

Penalitet për legalizimin e shtesave të subjektit ndërtues

l. Subjektet, shoqëri ndërtuese (dhe/ose investitorë) që kanë kryer shtesa anësore ose shtesa të kateve të larta jashtë lejeve të ndërtimit për qëllim kalimi pronësie ose qiradhënieje, paguajnë për efekt të legalizimit, sipas afatit të përcaktuar në nenin 41 të këtij ligji, për llogari të njësisë së qeverisjes vendore, këto penalitete:

a) për çdo m2 sipërfaqe banimi, gjobë 4 për qind të çmimit minimal fiskal, siç është parashikuar në tabelat e marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve; b) për çdo m2 sipërfaqe për veprimtarive social-ekonomike, gjobë 10 për qind të çmimit minimal fiskal, siç është parashikuar në tabelat e marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve; c) për çdo m2 sipërfaqe me ndryshim destinacioni, gjobë 20 për qind të çmimit minimal fiskal, siç është parashikuar në tabelat e marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

2. Përcaktimi i vlerës së tregut në kuptim vetëm të pikës 1 të këtij neni, kryhet në bazë të çmimit minimal fiskal, siç është parashikuar në tabelat e marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve nr. 2116, datë 25.5.2004 dhe Udhëzimit të Tatim-Taksave nr. 2116/3, datë 14.12.2004.

3. Për rastet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, kur procesi i vetëdeklarimit është kryer nga blerësit e ndërtimit me shtesë, legalizimi i ndërtimit informal kryhet në favor të këtyre të fundit. Për subjektin/shoqëritë ndërtuese (dhe/ose investitorin) do të ndiqen procedurat për pagesën e penaliteteve.



KREU VI
DISPOZITA Të FUNDIT




Neni 44

Ankimi
Kundër vendimit të njësisë së qeverisjes vendore, që refuzon të pranojë dokumentacionin, ose kur kjo njësi nuk nxjerr vendim me shkrim brenda afatit të parashikuar nga ky ligj, subjekti mund të paraqesë ankim administrativ pranë zyrës përkatëse të njësisë vendore ose kryetarit të organit të qeverisjes vendore. E njëjta procedurë ankimi zbatohet edhe për vendime të zyrës përkatëse të ALUIZNI-t, sipas ligjit nr.8485, datë 12.5.1999 "Kodi i Procedurave Administrative në Republikën e Shqipërisë".



Neni 45

Dispozita kalimtare

1. Deklarimet e bëra në bazë të ligjit nr.9304, datë 23.10.2004 "Për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale", konsiderohen të mirëqena. Kur ndërtimet informale të deklaruara kanë evoluar në sipërfaqe dhe vëllim për shkak të veprimtarive të reja informale, brenda afatit të përcakuar në këtë ligj, subjekti është i detyruar t'i rideklarojë ato nga e para. Mosdeklarimi i shtesave të reja çon në heqjen e të drejtës së legalizimit dhe prishjen e objektit, sipas ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 "Për inspektimin e ndërtimit".

2. Për "zonat informale", të miratuara me vendim të KRRTRSH-së, në mbështetje të ligjit nr.9304, datë 23.10.2004 "Për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale", strukturat e ngarkuara nga ky ligj të veprojnë sipas përcaktimeve të bëra në këtë ligj.

3. Këshilli i Ministrave, brenda 1 muaji nga miratimi i zonave/vendbanimeve informale, përcakton mënyrën e administrimit të territorit të tyre dhe përparësitë në trajtimin e këtyre zonave.

4. Për ecurinë e procesit të vetëdeklarimit dhe të përcaktimit të "zonës informale" zbatohen procedurat e përcaktuara në udhëzimet nr.1, datë 6.1.2005 "Për procedurat e mbledhjes dhe përpunimit të të dhënave për ndërtimet e banesave në "zonat informale"" dhe nr.3, datë 13.5.2005 "Për procedurat e miratimit të "zonës informale"" të Këshillit të Ministrave.

5. Në territoret e përcaktuara si territore me ndërtime informale ndalohet dhënia e lejeve për shesh ndërtimi ose e lejeve të ndërtimit subjekteve private, deri në miratimin e studimit urbanistik për to.



Neni 46

Nxjerrja e akteve nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet nënligjore në përputhje me nenet 2, 4, 15, 17 pika 2, 18, 28, 34 e 45 të këtij ligji.
2. Ngarkohet ministri, që mbulon fushën e planifikimit të territorit, të nxjerrë aktet nënligjore, sipas neneve 11 e 12 të këtij ligji.



Neni 47

Shfuqizime
Ligjet nr.9304, datë 23.10.2004 "Për legalizimin dhe urbanizimin e zonave informale" dhe nr.9209, datë 23.3.2004 "Për legalizmin e shtesave në ndërtime", shfuqizohen.



Neni 48

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

Shpallur me dekretin nr.4831, datë 25.4.2006 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu



 

Copyright ©. All rights reserved 1st Real Estate. Design by ENIAC