Shqip | English
 

Ligji për Noterinë


L I G J
Nr.7829, datë 1.6.1994
PËR NOTERINË
(ndryshuar me ligjin nr.7920, datë 19.4.1995)
(ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001)
(ndryshuar me ligjin nr.9216, date 1.4.2004)
(I përditësuar)


Në mbështetje të nenit 16 të ligjit nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore
kushtetuese”, me propozim të Këshillit të Ministrave,

KUVENDI POPULLOR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
V E N D O S I :


PJESA I
ORGANIZIMI I NOTERISË

KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME



Neni 1

Noteria në Republikën e Shqipërisë kryen veprimtari juridike në shërbim të personave fizikë e juridikë, nëpërmjet redaktimit të akteve dhe kryerjes së veprimeve noteriale, në pajtim me Kushtetutën e legjislacionin në fuqi.
Noteri, në ushtrimin e profesionit të tij, është i lirë dhe i nënshtrohet vetëm ligjit.

Neni 2

Kushtet për t’u bërë noter
(ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 1)
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 1)

1.Profesionin e noterit mund ta ushtrojë çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili plotëson
këto kushte:
a) ka kryer arsimin e lartë juridik;
b) ka zotësi të plotë për të vepruar;
c) është jo më pak se 26 vjeç dhe jo më shumë se 55 vjeç në çastin e dhënies së provimit të
kualifikimit për marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit të noterit;
ç) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për një vepër penale të kryer me
dashje;
d) nuk është larguar nga detyra apo funksioni i gjyqtarit, i prokurorit ose i nëpunësit të
administratës publike për shkelje të rregullave dhe të disiplinës në punë gjatë 3 vjetëve të fundit nga
data e paraqitjes së kërkesës për lejimin e ushtrimit të profesionit të noterit;
dh) ka punuar jo më pak se 2 vjet asistent pranë një noteri;
e) ka marrë pjesë në provimin e kualifikimit për marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit të
noterit dhe është vlerësuar me jo më pak se 80 për qind të pikëve të caktuara për konkurrim;
ë) është pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit të noterit;
f) është anëtar i një dhome noterie.

2. Shtetasit që janë deputetë me arsim të lartë juridik, ose që kanë punuar jo më pak se 2 vjet si
gjyqtarë, prokurorë, noterë, avokatë, ose kanë jo më pak se 3 vjet përvojë në pozicionin e drejtuesit, këshilltarit apo të specialistit të strukturave juridike pranë Presidentit, Kuvendit, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Avokatit të Popullit, aparatit të Këshillit të Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë ose në atë të punonjësit akademik të brendshëm të lëndëve juridike në shkollat e larta universitare përjashtohen nga afati i parashikuar në pikën 1 shkronja “dh “ të këtij neni.

Neni 2/a

Stazhi

(shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 2)
(shfuqizuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 2)


Neni 3

Kualifikimi
(ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 3)
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 3)
Dhoma Kombëtare e Noterisë njofton për vendin vakant për ushtrimin e veprimtarisë së
noterit, i cili shpallet publikisht nga Ministri i Drejtësisë në Fletoren Zyrtare jo më vonë se 15 ditë
nga krijimi i këtij vendi.
Plotësimi i vendit vakant duhet të realizohet nëpërmjet transferimit të noterëve dhe, nëse kjo nuk është e mundur, nëpërmjet konkurrimit të shtetasve shqiptarë që plotësojnë kushtet e parashikuara në nenin 2 të këtij ligji.
Në mungesë të propozimeve për transferim të noterëve dhe mbi bazën e kërkesave të
parashtruara për të ushtruar veprimtarinë noteriale, Ministri i Drejtësisë organizon konkurrimin për plotësimin e vendit vakant dhe provimin përkatës të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të noterit jo më vonë se 30 ditë nga afati i përmendur në paragrafin e gjashtë të nenit 3/ç.
Provimi i kualifikimit jepet përpara Komisionit të Kualifikimit për Noterinë, i cili përbëhet nga 3 përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë, 1 përfaqësues i Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe 1 pedagog nga Shkolla e Magjistraturës.
Ministri i Drejtësisë përcakton datën e konkurrimit, rregullat për funksionimin e Komisionit të Kualifikimit për Noterinë, kriteret dhe procedurat e organizmit të provimit, si dhe bën shpalljen e rezultateve të provimit.”.


Neni 3/a

(shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 4)
Ministri i Drejtësisë, për çdo vend vakant të shpallur, në mbështetje të rezultateve të provimit, i jep fituesit të konkurrimit lejen për ushtrimin e profesionit të noterit, duke u shprehur edhe për njësinë vendore ku do të ushtrojë veprimtarinë e tij.
Shtetasi që është shpallur fitues për ushtrimin e profesionit të noterit në më shumë se një vend vakant, duhet që brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit të provimit të njoftojë me shkrim Ministrinë e Drejtësisë për zgjedhjen e tij.
Nëse nuk përmbushet detyrimi i përcaktuar në paragrafin e dytë të këtij neni, Ministri i
Drejtësisë cakton vendin vakant që do të plotësojë fituesi, si dhe vendet e tjera vakante që do të
plotësohen nga konkurrentët e renditur menjëherë pas fituesit, por që kanë marrë mbi 80 për qind të pikëve.


Neni 3/b

(shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 4)
Leja për ushtrimin e profesionit të noterit, së bashku me të dhënat përkatëse, regjistrohen në regjistrin e noterëve pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe në Dhomën Kombëtare të Noterisë.
Shtetasi i pajisur me lejen e ushtrimit të profesionit të noterit nga Ministri i Drejtësisë duhet të
fillojë ushtrimin e veprimtarisë noteriale në vendin e shpallur vakant jo më vonë se 60 ditë nga data e lëshimit të lejes. Me kalimin e këtij afati, sipas njoftimit nga Dhoma Kombëtare e Noterisë ose vetë i interesuari, leja për ushtrimin e veprimtarisë noteriale shfuqizohet dhe Ministri i Drejtësisë, mbështetur në rezultatet e konkurrimit, i jep lejen e ushtrimit të profesionit të noterit shtetasit të renditur menjëherë pas fituesit të konkurrimit. Në rast se edhe ky i fundit nuk e fillon ushtrimin e veprimtarisë së tij noteriale brenda afatit 60-ditor, leja për ushtrimin e profesionit të noterit shfuqizohet dhe nëse nuk ka fitues të tjerë që kanë marrë mbi 80 për qind të pikëve, për plotësimin e vendit vakant zhvillohet një konkurrim i ri.


Neni 3/c

Asistenca
(shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 4)
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 5)
Noteri, në ushtrimin e veprimtarisë së vet noteriale, mund të asistohet nga një ose më shumë asistentë.
Brenda 15 ditëve nga lidhja e kontratës me asistentin, noteri duhet të depozitojë në dhomën e noterisë ku është anëtar, në Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe në Ministrinë e Drejtësisë kopje të kontratës dhe dokumentacionin ligjor të kërkuar për asistentët.
Përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë së tij, asistenti duhet të regjistrohet në regjistrin përkatës të Ministrisë së Drejtësisë dhe të depozitojë dokumentacionin e kërkuar prej saj.
Asistenti që ka më shumë se 2 vjet në ushtrimin e kësaj veprimtarie, pajiset me certifikatë të lëshuar nga Dhoma Kombëtare e Noterisë pasi të jetë marrë edhe vlerësimi pozitiv i noterit, pranë të cilit ka punuar asistenti.
Asistenti i pajisur me certifikatë dhe që plotëson kushtet e tjera të përcaktuara në nenin 2 të këtij ligji, ka të drejtë të marrë pjesë në konkurrimet e organizuara për ushtrimin e profesionit të noterit në plotësimin e vendeve vakante.
Ministri i Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë caktojnë bashkërisht rregulla të
hollësishme lidhur me procedurat e paraqitjes së kërkesës dhe caktimit të asistentit pranë noterit, si dhe të drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë përiudhës së ushtrimit të kësaj veprimtarie.


Neni 3/ç

(shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 6)
Transferimi i noterit bëhet vetëm me kërkesën e tij.
Noteri që kërkon të transferohet, regjistrohet në listën e noterëve që janë në pritje për
transferim, e cila mbahet nga Dhoma Kombëtare e Noterisë.
Dhoma Kombëtare e Noterisë, brenda 30 ditëve nga regjistrimi i kërkesës, i dërgon Ministrisë së Drejtësisë njoftimin zyrtar për këtë regjistrim dhe një kopje të kërkesës përkatëse të noterit që kërkon të transferohet.
Noterët kanë të drejtën e transferimit të veprimtarisë së tyre në një tjetër juridiksion rrethi
gjyqësor në përputhje me radhën e regjistrimit të kërkesave përkatëse të transferimit për atë
juridiksion, që rezulton nga lista e përmendur në paragrafin e dytë të këtij neni.
Lejimi i një noteri për të transferuar veprimtarinë e vet në juridiksionin e një rrethi tjetër
gjyqësor bëhet nga Ministri i Drejtësisë, pasi ka marrë më parë mendimin me shkrim të Dhomës
Kombëtare të Noterisë për këtë transferim. Dhoma Kombëtare e Noterisë duhet të japë mendimin e saj me shkrim brenda 15 ditëve nga data e shpalljes në Fletoren Zyrtare të vendit vakant të noterit në atë juridiksion.
Ministri i Drejtësisë lejon transferimin e veprimtarisë së një noteri jo më vonë se 30 ditë nga data e shpalljes në Fletoren Zyrtare të vendit vakant të noterit në atë juridiksion.
Në asnjë rast transferimet nuk mund të përbëjnë më shumë se 50 për qind të vendeve vakante për çdo dhomë noterie.
Noteri i transferuar duhet të fillojë ushtrimin e veprimtarisë noteriale në rrethin gjyqësor ku është transferuar jo më vonë se 60 ditë nga data e daljes së urdhrit të Ministrit të Drejtësisë për
transferimin e tij. Me kalimin e këtij afati, noterit të transferuar i hiqet leja për ushtrimin e profesionit të noterit.


Neni 4

Për efekt të ushtrimit të funksioneve të tij, noteri barazohet me nëpunësin publik dhe gëzon
mbrojtjen sipas ligjit.


Neni 5

Noteri nuk mund të jetë gjyqtar, prokuror, hetues, avokat, arbitër i zgjedhur nga palët dhe as të
kryejë veprimtari tjetër publike e private, përveç asaj shkencore e mësimdhënëse.


Neni 6

(Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 5)
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 7)
Heqja e lejes së ushtrimit të profesionit të noterit bëhet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë kur:
a) heq dorë me kërkesën e tij nga ushtrimi i profesionit të noterit;
b) mbush moshën 65 vjeç;
c) humbet zotësinë e plotë për të vepruar;
ç) bëhet i paaftë për të ushtruar veprimtarinë për shkak sëmundjeje për një kohë më të gjatë se
6 muaj gjatë një viti;
d) vërtetohet se është emëruar në kundërshtim me kushtet e përcaktuara në nenin 2 të këtij
ligji;
dh) dënohet për një vepër penale të kryer me dashje;
e) tregon paaftësi profesionale në kryerjen e detyrës;
ë) nuk ushtron veprimtarinë noteriale për një periudhë kohe deri në 30 ditë rresht pa njoftuar
me shkrim Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe Ministrinë e Drejtësisë;
f) shkel rëndë ose në mënyrë të përsëritur rregullat që lidhen me ushtrimin e profesionit të
noterit, të parashikuara në këtë ligj dhe në Kodin e Etikës Profesionale, të propozuar nga Dhoma
Kombëtare e Noterisë dhe të miratuar nga Ministri i Drejtësisë;
g) i është dhënë në mënyrë të përsëritur masa disiplinore e parashikuar në nenin 7 shkronja
“b” të këtij ligji;
gj) i është dhënë paraprakisht një nga masat disiplinore të shkronjave “c” dhe “ç” të nenit 7 të
këtij ligji dhe kjo masë disiplinore nuk është parashkruar.


Neni 7
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004)

Për shkelje të dispozitave që rregullojnë ushtrimin e profesionit dhe të veprimtarisë së noterit, ndaj tyre jepen këto masa disiplinore:
a) vërejtje;
b) gjobë nga 5 000 deri në 50 000 lekë;
c) vërejtje me paralajmërim për heqje të lejes për ushtrimin e profesionit të noterit;
ç) heqje e lejes së ushtrimit të veprimtarisë së noterit për një periudhë deri në 2 vjet;
d) heqje e lejes së ushtrimit të veprimtarisë së noterit.


Neni 8

(shtuar paragrafi i fundit me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 6)
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 9)
Masat disiplinore të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të nenit 7 të këtij ligji jepen nga Ministri i Drejtësisë nëse vërtetohen shkelje nga verifikimet dhe inspektimet e kryera kryesisht prej tij ose nga dhoma e noterisë ku është anëtar noteri, i cili procedohet disiplinarisht. Në rast se dhoma e noterisë refuzon të japë masën displinore pa shkaqe të motivuara, me kërkesë të personit të dëmtuar, ajo mund të jepet nga Ministri i Drejtësisë.
Masat disiplinore të parashikuara në shkronjat “c” dhe “d” të nenit 7 të këtij ligji jepen nga Ministri i Drejtësisë, me propozimin e dhomës së noterisë ku është anëtar noteri që do të procedohet disiplinarisht ose kryesisht, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të kësaj dhome.
Masat displinore jepen brenda 6 muajve nga data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 3 vjet nga momenti i kryerjes së saj.
Masat disiplinore jepen sipas një procedure, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime rreth fakteve, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.


Neni 9
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 10)

Kundër Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë për dhënien e lejes së ushtrimit të profesionit të
noterit, për transferimin e noterit ose për përsëritjen e konkurrimit për vendet vakante, për procedurën e zhvillimit të provimit të kualifikimit, si dhe për masat disiplinore të dhëna ndaj noterit mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve nga data e njoftimit në Gjykatën e Apelit Tiranë. E njëjta rrugë ankimore ndiqet edhe për masat displinore të dhëna nga dhoma e noterisë ku bën pjesë noteri, ndaj të cilit është marrë masa disiplinore.
Urdhrat e Ministrit të Drejtësisë që përmbajnë masa disiplinore, pas kalimit të afatit të ankimit ose kur lihen në fuqi nga gjykata, regjistrohen në regjistrin e noterëve pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë. Një kopje e tyre depozitohet në dosjen e noterit.


Neni 10

(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 11)
Masat disiplinore të dhëna sipas nenit 7 të këtij ligji konsiderohen se nuk janë dhënë në rastet kur nga data e dhënies së tyre:
a) ka kaluar 1 vit për masën disiplinore të vërejtjes;
b) kanë kaluar 2 vjet për masën disiplinore të vërejtjes me paralajmërim për heqjen e lejes së
ushtrimit të profesionit të noterit;
c) kanë kaluar 3 vjet për masën disiplinore për heqjen e përkohshme të lejes së ushtrimit të
profesionit të noterit.


Neni 11
(Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 7)

Noteri, para se të fillojë detyrën e tij, bën këtë betim:
“Betohem se detyrat e noterit do t’i kryej në bazë të ligjit dhe ndërgjegjes duke i qëndruar besnik
Kushtetutës së Republikës të Shqipëris, do të ruaj sekretin profesional dhe në qëndrimet dhe sjelljet e mia do të udhëhiqem nga parimet e humanizmit e të respektit ndaj njeriut”. Betimi bëhet përpara ministrit të Drejtësisë ose personit të autorizuar prej tij.


Neni 12
(Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 11 )
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 12)

Noteri mund të ushtrojë veprimtarinë e vet vetëm në një zyrë noterie.
Në një zyrë noterie duhet të punojë vetëm një noter dhe në ushtrimin e veprimtarisë ai mund të ndihmohet nga asistentët ose personeli administrativ. Dy ose më shumë noterë mund të punojnë bashkë në një zyrë noterie vetëm me miratimin e Dhomës Kombëtare të Noterisë.
Përpara fillimit të ushtrimit të veprimtarisë, në rastet e transferimit ose të ndryshimit të
vendndodhjes së zyrës së noterisë, noteri duhet të lajmërojë me shkrim Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Noterisë brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë në adresën e re.
Noteri duhet të sigurojë zyra dhe mjedise të sigurta e të përshtatshme për të ushtruar
veprimtarinë dhe profesionin e noterit. Kushtet minimale që duhet të plotësojë një noter për
vendndodhjen, mjediset, pajisjet dhe paraqitjen e zyrës së noterisë caktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë.”.


Neni 13
Noteri ka të drejtë të ketë llogari rrjedhëse në bankë.

Neni 14
Ministria e Drejtësisë ushtron kontrollin mbi veprimtarinë ligjore të noterëve. Nuk i nënshtrohen kontrollit aktet e vullnetit të fundit, sa kohë që është gjallë trashëgimtari testamentar.

Neni 15
(Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 9)

Në veprimtarinë noteriale përdoret gjuha shqipe. Kur kërkuesi nuk di shqip ose aktet noteriale kërkohen të hartohen në gjuhë të huaj dhe noteri nuk i kryen vetë, përdoret përkthyesi i njohur sipas ligjit.


Neni 16
(shtuar paragrafi i parë me ligjin nr.7920, datë 19.4.1995, neni 1)
(ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 10)
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 13)

Numri i përgjithshëm i noterëve që ushtrojnë veprimtarinë tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të jetë në përpjesëtim të arsyeshëm me numrin e përgjithshëm të popullsisë.
Ministri i Drejtësisë, në bazë të numrit të popullsisë dhe të vëllimit të punës së veprimtarisë
noteriale, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë, cakton çdo dy vjet numrin e përgjithshëm të noterëve për çdo rreth gjyqësor, si dhe mbulimin përkatës për çdo bashki së bashku me komunat pranë saj.
Noteri nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e tij jashtë territorit të njësive vendore të caktuara në urdhrin e Ministrit të Drejtësisë, me përjashtim të rasteve të veçanta kur një gjë e tillë miratohet, për një periudhë kohore jo më shumë se 60 ditë, nga të dy dhomat përkatëse të noterisë. Kryerja nga noteri e akteve dhe e veprimeve noteriale jashtë territorit të përcaktuar për ushtrimin e veprimtarisë së tij nuk sjell pavlefshmërinë tyre.
Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë, veç e veç, mbajnë regjistra për
noterët dhe asistentët, si dhe administrojnë dokumentacionin që lidhet me marrjen dhe heqjen e lejes së ushtrimit të profesionit të noterit, transferimet e tyre, përmbushjen e detyrimeve ligjore dhe ecurinë disiplinore të noterëve dhe asistentëve.
Forma dhe përmbajtja e regjistrave të noterëve dhe asistentëve, mënyra dhe procedurat e
mbajtjes së tyre dhe elementet e dokumentacionit që përfshihen në dosjet e noterëve dhe asistentëve caktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë.


Neni 17

(Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 11)
(shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 14)
Noteri ka dy vula, njëra nga të cilat e thatë, të cilat përmbajnë: emrin, shkronjën e parë të atësisë, mbiemrin dhe vendin e ndodhjes së zyrës noteriale. Akti, që nuk përmban dy llojet e vulave, është i pavlefshëm. Në Ministrinë e Drejtësisë depozitohen vulat, firma dhe kontrata e sigurimit për shkak të detyrës së noterit.
Dhoma Kombëtare e Noterisë pajis me vulë fituesin e konkurrimit ose noterin e transferuar për vendin vakant. Shpenzimet për përgatitjen e vulave përballohen nga noteri.
Forma, përmbajtja dhe karakteristikat e tjera të vulave, si dhe rregullat për pajisjen dhe
administrimin e tyre përcaktohen nga Ministri i Drejtësisë, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë.


Neni 18

Noteri detyrohet të përmbushë funksionet e veta kurdoherë e posaçërisht për veprimet noteriale që nuk presin, si dhe t’u përgjigjet kërkesave të shtetasve në çdo vend të territorit ku e shtrin juridiksionin zyra noteriale e tij.


Neni 19

çdo zyrë noteriale duhet të jetë e pajisur me një listë që përmban identitetin e personave, të cilëve, me vendim të formës së prerë të gjykatës, u është hequr zotësia për të vepruar, janë deklaruar të falimentuar ose janë ndaluar të marrin detyra publike të caktuara. Në këto raste gjykatat u dërgojnë dhomave të noterëve në rrethe njoftimin përkatës.

Neni 20
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 15)

Në rast vdekjeje ose mase disiplinore të dhënë sipas shkronjave “ç” dhe “d” të nenit 7 të këtij ligji, personi i autorizuar nga Ministri i Drejtësisë dhe dhoma përkatëse e noterisë merr në dorëzim regjistrat dhe aktet noteriale të arkivës së noterit dhe ia dorëzon për ruajtje një noteri të të njëjtit rreth gjyqësor.
Vulat e noterit, të cilit i është dhënë masa disiplinore, sipas shkronjës “ç” të nenit 7 të këtij ligji, mbahen në Ministrinë e Drejtësisë dhe i dorëzohen noterit me urdhër të Ministrit të Drejtësisë pas shlyerjes së masës disiplinore.
Vulat e noterit të vdekur dhe të atij që i është dhënë masa disiplinore e heqjes së ushtrimit të veprimtarisë së noterit nxirren jashtë përdorimit me proceverbal nga personat e autorizuar nga Ministri i Drejtësisë, dhoma përkatëse e noterisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë.
Në rast moszbatimi vullnetar, urdhri i Ministrit të Drejtësisë për dorëzimin e dokumentacionit të përmendur në paragrafin e parë të këtij neni, përbën titull ekzekutiv dhe ngarkohet zyra e përmbarimit me ekzekutimin e tij.


Neni 21

Përveç kontrollit për aktivitetin profesional të parashikuar në këtë ligj, zyra e noterit nuk mund të kontrollohet pa një vendim të gjykatës të motivuar dhe që vë në dukje qëllimin e kufijtë e këtij kontrolli.


KREU II
Të DREJTAT DHE DETYRAT E NOTERIT



Neni 22
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 16)

Noteri ka këto të drejta:
- Të hartojë testamente, projekte për veprime të tjera juridike e dokumente, të japë kopje
dokumentesh dhe shkurtime prej tyre, si dhe të kryejë veprime të tjera noteriale, të parashikuara nga ligji.
- Të japë sqarime për probleme që kanë të bëjnë me kryerjen e veprimeve noteriale.
- Të kërkojë nga personat fizikë e juridikë të dhëna e dokumente që janë të domosdoshme për kryerjen e akteve dhe të veprimeve noteriale.
- të kërkojë dhe të shpërblehet për punën e kryer;
- të organizojë ose të marrë pjesë në organizime profesionale kolektive.


Neni 23

Noteri ka për detyrë:
- Të kryejë për personat fizikë e juridikë ato veprime që synojnë realizimin e të drejtave dhe
mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme, t’i sqarojë ata për të drejtat dhe detyrat që rrjedhin prej tyre, si dhe të paralajmërojë për pasojat që vijnë nga kryerja e veprimeve noteriale, me qëllim që të mos dëmtohen interesat e tyre nga mosdijenia e ligjit.
- Të kryejë detyrat e tij me paanësi, në bazë të ligjit dhe të betimit të bërë si noter.
- Të ruajë të dhënat me të cilat është njohur gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij dhe që
përbëjnë sekret profesional.
- Të dhëna për përmbajtjen e akteve noteriale të kryera mund t’u jepen vetëm personave, në
emër të cilëve janë kryer këto veprime.
Gjykata, prokuroria dhe hetuesia mund të njihen me të dhëna të kësaj natyre, kur kanë filluar
ndjekjet penale kundër noterit lidhur me detyrën e tij, ose kundër shtetasit që është subjekt në veprime noteriale të kryera, por gjithnjë pa u dëmtuar interesat themelore të shtetit a shtetasve të veçantë.
- Të moslejojë njohjen me përmbajtjen e testamenteve, lëshimin e kopjeve a shkurtimeve të
tyre para vdekjes së trashëgimlënësit testamentar, përveç rasteve kur e kërkon vetë ai ose përfaqësuesi i tij me prokurë të posaçme.
Të refuzojë kryerjen e veprimeve noteriale në rastet që nuk lejohen nga legjislacioni i
Republikës së Shqipërisë, nga konventa ndërkombëtare, të pranuara përgjithësisht ose në të cilat ka aderuar vendi ynë.
- Të këshillojë palët që të paraqiten në organet e tatimit për efekt të pagimit të tatimit, në rastet
kur kryen veprimet noteriale që kanë të bëjnë me tjetërsimin e pronësisë.
- Të përmirësojë vazhdimisht kualifikimin e tij.
- Të derdhë kuotën që caktohet çdo vit nga Këshilli Kombëtar i Noterëve.
- Të mbajë hapur zyrën noteriale sipas rregullave të miratuara për këtë qëllim. Kur për shkaqe
të përligjura noteri mungon për më shumë se tre ditë, emëron një zëvendës të tij nga noterët e dhomës, gjithnjë duke marrë pëlqimin e kryetarit të këshillit të dhomës së noterëve.


Neni 24

Kur noteri e zhvillon veprimtarinë e tij në kundërshtim me ligjin, ai është përgjegjës për dëmin e shkaktuar.


Neni 25
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 17)

Noteri duhet të lidhë kontratë sigurimi për përgjegjësinë e tij ndaj palëve të treta për shkak të ushtrimit të veprimtarisë noteriale.


KREU III
FINANCIMI I VEPRIMTARISë NOTERIALE



Neni 26
(Shtuar paragrafi i dytë me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 12)
(shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 18)

Për kryerjen e akteve e të veprimeve noteriale paguhet një tarifë e cila caktohet nga Ministria e Drejtësisë, duke marrë edhe mendimin e Ministrisë së Financave dhe të Këshillit Kombëtar të Noterisë. Tarifa afishohet në çdo zyrë noteriale.
Këshilli i Ministrave, kur e sheh të arsyeshme, mund t’i liberalizojë këto tarifa.

Neni 27
Burimi i financimeve të veprimtarisë noteriale janë të ardhurat në të holla që merr noteri për kryerjen e akteve e të veprimtarive noteriale.
Të ardhurat që burojnë nga veprimtaria noteriale e noterit, pasi paguhen taksat dhe detyrimet e tjera që parashikon ligji, kalojnë në pronësi të noterit.

Neni 28
Kur personi fizik nuk është në gjendje të përballojë shpërblimin e shpenzimet që kërkohen për kryerjen e veprimeve noteriale mund të përjashtohet nga pagimi i tyre tërësisht a pjesërisht nga vetë noteri, ose me vendim të këshillit të dhomës së noterëve të rrethit gjyqësor.


KREU IV
ORGANIZIMI I PËRFAQËSIMIT PROFESIONAL TË NOTERËVE



Neni 29
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 18)


Noterët organizohen profesionalisht në nivel vendor nëpërmjet dhomave të noterisë që
funksionojnë pranë një ose disa rretheve gjyqësore dhe në nivel kombëtar në Dhomën Kombëtare të Noterisë, të cilat janë persona juridikë.



Neni 30
(ndryshuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 19)

Dhoma e noterisë në nivel vendor përbëhet nga të gjithë noterët që janë caktuar të ushtrojnë veprimtarinë noteriale në juridiksionin e saj.
Numri minimal i noterëve për një rreth gjyqësor caktohet bashkërisht nga Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe Ministria e Drejtësisë.
Për çdo juridiksion të caktuar nga Ministri i Drejtësisë, sipas nenit 16 të këtij ligji, nuk mund të ketë më shumë se një dhomë noterie.
Kur numri i noterëve të caktuar për një rreth gjyqësor është më i vogël se numri minimal i tyre, i caktuar sipas paragrafit të mësipërm, nuk mund të krijohet dhomë noterie. Noterët e këtij rrethi gjyqësor anëtarësohen në dhomën e noterisë të rrethit gjyqësor më të afërt, sipas përcaktimit të bërë nga Ministri i Drejtësisë, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë.


Neni 31

Organet drejtuese të dhomës së noterëve janë: Mbledhja e përgjithshme e noterëve dhe këshilli i dhomës së noterëve.

Neni 32
Mbledhja e përgjithshme e dhonës së noterëve thirret sipas rregullave të caktuara në statutin e dhomës, si dhe me kërkesën e ministrit të Drejtësisë.
Vendimet e mbledhjes së përgjithshme merren me shumicë votash.
Votimi bëhet në mënyrë të fshehtë.


Neni 33

Kompetencat e mbledhjes së përgjithshme të dhomës së noterëve përcaktohen në këtë ligj dhe në statutin e saj. Mbledhja e përgjithshme ka edhe këto kompetenca:
- Përfaqëson dhe mbron interesat e noterëve që veprojnë në territorin e saj.
- Ndihmon për funksionimin normal të zyrave noteriale.
- Vendos për ngritjen profesionale të noterëve ose ndjek zbatimin e sigurimeve shoqërore të
noterëve.
- Zgjedh këshillin e dhomës, kryetarin e nënkryetarin e saj.
- Zgjedh anëtarët për në Dhomën Kombëtare të Noterëve sipas normave të përfaqësimit të
parshikuara në statut.
- Miraton buxhetin e dhomës dhe rezultatet vjetore.
- Cakton kuotat që derdhin noterët në llogarinë e dhomës së noterëve.


Neni 34

Këshilli përbëhet nga 3-5 anëtarë, kur dhoma përbëhet nga 1 deri 20 noterë, dhe 3-7 anëtarë, kur përbëhet nga mbi 20 noterë.
Kryetari i këshillit të dhomës përfaqëson këshillin dhe drejton gjithë veprimtarinë e këshillit.
Kur kryetari mungon, këshilli përfaqësohet nga nënkryetari.


Neni 35
(ndryshuar pikat “1” dhe “4” me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 13)

Këshilli i dhomës së noterisë ka këto kompetenca:
1.Vendos anëtarësimin në dhomën e noterëve, të noterit të emëruar.
2. Kujdeset për veprimtarinë e noterëve dhe e kontrollon atë vetë ose dhe në bashkëpunim me
ministrinë e Drejtësisë.
3. Organizon kualifikimin e vazhdueshëm të noterëve. Ndjek dhe kontrollon kryerjen e stazhit.
4. Mbledh kuotat e anëtarëve dhe administron pasurinë e dhomës.
5. Thërret mbledhjen e përgjithshme dhe zbaton vendimet e saj.
6. Mban listat e noterëve të juridiksionit të tij.
7. Përmbush funksionet e tjera në pajtim me këtë ligj dhe me statutin.


Neni 36

Dhoma Kombëtare e Noterëve përbëhet nga noterët e zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme e dhomave të noterëve në rrethe gjyqësore, në bazë të normave të përfaqësimit të caktuar në statutin tip.


Neni 37

Dhoma Kombëtare e Noterëve ka këto kompetenca:
1) Bashkërendon veprimtarinë e të gjithë dhomave të noterëve të Republikës.
2) Përfaqëson dhe mbron interesat e dhomave të noterëve në organet shtetërore dhe në
organizma të tjerë.
3) Siguron mbrojtjen e të drejtave sociale e profesionale të noterëve.
4) Siguron rritjen e kualifikimit të noterëve dhe të asistentëve.
5) Harton rregullat deontologjike që miratohen nga Ministria e Drejtësisë.
6) Përfaqëson notariatin e Shqipërisë në organizmat ndërkombëtarë.
7) Miraton statutin tip të dhomave të noterëve dhe rregulloren e tij të brendshme.
8) Krijon një fond solidariteti në favor të noterëve që nuk sigurojnë minimumin e të
ardhurave.
9) Cakton kuotat që do t’i derdhen Këshillit Kombëtar për të realizuar veprimtarinë e tij.


Neni 38

Organi më i lartë i Dhomës Kombëtare të Noterëve është mbledhja e përgjithshme e
përfaqësuesve të dhomave të noterëve të rretheve gjyqësore.
Dhoma Kombëtare e Noterëve drejtohet nga presidenti i Dhomës dhe Këshilli Kombëtar i saj që zgjidhet nga mbledhja e përgjithshme. Këshilli Kombëtar është person juridik. Kompetencat e presidentit dhe të Këshillit Kombëtar përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare që miratohet nga mbledhja e përgjithshme e Dhomës Kombëtare dhe nga ky ligj.


PJESA II
VEPRIMTARIA E ZYRAVE NOTERIALE
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 39
Noteri ka këto kompetenca:
a) Redakton aktet noteriale;
b) bën njoftimin e kujtesje noteriale ose të akteve të tjera jashtëgjyqësore;
c) legalizon nënshkrimet e shtetasve të vëna në akte të ndryshme;
ç) harton kundërshtimet e kambialeve dhe vërtetimin e mospagimit të çekut;
d) vërteton datën e paraqitjes së dokumenteve në zyrën e noterisë;
dh) vërteton qënien e një personi dhe qëndrimin e tij në një vend të caktuar;
e) pranon për ruajtje dokumente të personave fizikë e juridikë në zyrën noteriale;
ë) lëshon kopje, shkurtime e pjesë të akteve të depozituar në zyrën noteriale;
f) vërteton se kopjet ose shkurtimet e dokumenteve janë të njëjta me origjinalin e paraqitur
nga të interesuarit;
g) bën ose vërteton përkthime nga një gjuhë në një tjetër;
gj) redakton procesverbale e bën inventare, duke përshkruar gjendjen e sendeve, sipas
kërkesës së shtetasve dhe kur ngarkohen nga gjykata;
h) redakton deklarata e dokumente të kërkuara nga persona të interesuar, si dhe akte e veprime
të tjera, që sipas ligjit duhet të bëhen nga noteri.


Neni 40

Aktet noteriale të hartuara në pajtim me ligjin, kanë fuqinë e akteve autentike.
Gjatë redaktimit të një akti ose kryerjes së një veprimi noterial noteri u bën të qartë palëve kërkesat e ligjit për rastin konkret dhe, brenda kufijve të tij, ruan si interesat e palëve, ashtu edhe ato të të tretëve.


Neni 41

Noteri refuzon redaktimin e çdo akti, përmbajtja e të cilit bie në kundërshtim të hapur me
kërkesat e ligjit.
Refuzimi bëhet me vendim të arsyetuar të noterit dhe i njoftohet të interesuarit brenda pesë ditëve nga dita e paraqitjes së kërkesës për redaktimin e aktit.
Personat që kanë kërkuar redaktimin e aktit ose që janë drejtpërdrejt të interesuar, brenda pesë ditëve nga dita e njoftimit të këtij vendimi, mund të ankohen në gjykatën e rrethit gjyqësor, në territorin e së cilës vepron zyera noteriale, e cila brenda pesë ditëve nga paraqitja e ankesës vendos rreth çështjes.


Neni 42

Noteri nuk mund të kryejë aktin noterial kur:
a) Merr pjesë vetë ose është i interesuar në çështje;
b) marrin pjesë në akt ose janë të interesuar bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e tjerë deri
në shkallën e tretë, të birësuarit prej tij, krushqia e afërt, si dhe kur është i interesuar personi, ndaj të cilit ai kryen detyrën e kujdestarit.


KREU II
MëNYRA E REDAKTIMIT TË AKTEVE

Neni 43

Aktet noteriale duhet të redaktohen pastër, qartë dhe në mënyrë që të mos lënë vend për
moskuptime e keqinterpretime.


Neni 44

Aktet noteriale redaktohen në gjuhën shqipe. Kur i interesuari, njëra ose të dyja palët, nuk e dinë gjuhën shqipe, noteri kërkon ndihmën e një përkthyesi, që pranohet prej tij dhe prej palëve, i cili përkthen gjithçka fjalë për fjalë dhe të gjitha këto përmenden në akt, ku shënohet edhe deklarimi i personave se e kanë kuptuar përkthimin.
`           Kur pala ose pjesëmarrësit në akt është i verbër, memec a shurdhmemec, noteri vepron me ndihmën e një eksperti ose personi që di të komunikojë me ta. Akti redaktohet pasi noteri sigurohet se gjithçka është sqaruar e mirëkuptuar dhe kur përmbajtja e aktit i përgjigjet pikë për pikë vullnetit të palëve.


Neni 45

Identiteti i çdo personi pjesëmarrës në aktin noterial merret nëpërmjet letërnjoftimit ose të një dokumenti tjetër që jep besim të plotë në këtë drejtim, përveç kur është i njohur prej tij. Noteri duhet të sigurohet edhe për zotësinë e tyre të plotë për të vepruar. Kur ka dyshim, kërkon e merr raport mjekësor. Të gjitha këto përmenden shprehimisht në akt.


Neni 46

Aktet nënshkruhen rregullisht nga palët dhe nga pjesëmarrësit në akt në prani të noterit, duke shkruar emrin e mbiemrin e plotë. Kur ndonjëra nga palët nuk di të shkruajë, autorizon të nënshkruajë për të një person tjetër, për identitetin e të cilit noteri sigurohet njëlloj si dhe për palët.
Kur nënshkrimi vihet me alfabet jo të shqipes, noteri sigurohet nëpërmjet një përkthyesi të njohur dhe të caktuar prej tij. Noteri përmend në akt të gjitha veprimet e mësipërme.


Neni 47

Personi i tretë, i interesuar në akt, nuk mund të marrë pjesë në të si përkthyes, të dëshmojë ose të nënshkruajë për palën.


Neni 48

Shpenzimet noteriale përballohen bashkërisht nga palët, përveç rasteve kur ato merren vesh ndryshe.


Neni 49

(shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 14)
Akti noterial hartohet nga noteri në prani të palëve.
Akti noterial duhet të përmbajë:
a) Ditën, muajin dhe vitin e redaktimit, llojin e aktit dhe kur është rasti, orën dhe minutën e
fillimit dhe atë të mbarimit të tij;
b) vendin e redaktimit të tij dhe numrin e repertorit e të koleksionit.
c) emrin dhe mbiemrin e noterit dhe vendin ku ndodhet zyra noteriale;
ç) emrin dhe mbiemrin, emrin e atit, datëlindjen, profesionin dhe vendbanimin e palëve,
emërtimin dhe qendrën, kur është fjala për person juridik; emrin, atësinë dhe mbiemrin e
përfaqësuesve të tyre dhe të çdo personi tjetër pjesëmarrës në akt, si dhe verifikimin e bërë nga noteri për identitetin e palëve, zotësinë juridike dhe zotësinë e tyre për të vepruar.
d) deklarimet e palëve dhe aktet që paraqiten prej tyre;
dh) tregimin e qartë të sendeve që përbëjnë objektin e aktit me gjithë cilësitë dhe shenjat
dalluese të tyre. Kur sendet janë të paluajtshme, tregohen në përbërje të tyre vendi i ndodhjes dhe
kufijtë e saktë;
e) në akt përmenden ndodhi serioze që mund të jenë vërtetuar gjatë redaktimit të tij, kur e
kërkojnë palët;
ë) faktin se noteri ua lexoi e u shpjegoi aktin palëve dhe deklarimet e tyre se e kanë kuptuar
dhe e pranojnë atë, si dhe faktin e vënies së nënshkrimeve në prani të noterit; kur është rasti, akti duhet të përmbajë edhe numrin e pagimin e ndonjë sasie parash të kryer në prani të tij;
f) nënshkrimin e palëve të të gjithë personave të pranishëm në akt, si dhe atë të noterit dhe
vulën e tij.


Neni 50

Në aktin noterial nuk lejohet të bëhen prishje fjalësh e fjalish dhe as shkarravitje. Nëse
lind nevoja për të hequr fjalë a fjali, ato vihen në kllapa, nënvizohen dhe në vijim përmendet sa fjalë a fjali janë hequr. Përbri tyre nënshkruajnë palët dhe noteri; ato nuk kanë vleftë dhe nuk merren parasysh në tërësinë e aktit. Kur akti përbëhet nga disa faqe, ato duhen numëruar e lidhur.


Neni 51

Me kërkesën e palëve, akti noterial hartohet në më shumë origjinale, prej të cilave, pasi
mbahet në zyrën e noterisë, të tjerat u dorëzohen palëve. Origjinalet e akteve ruhen në arkivin e
noterisë dhe nuk mund të tërhiqen prej tij, me përjashtim të rasteve kur këtë e kërkojnë gjykata a
prokuroria. Në një rast të tillë vihet shënim në dosjen nga u tërhoq akti. Këto organe, pasi pasqyrojnë çka u duhet prej aktit në procesin hetimor ose gjyqësor, detyrohen t’ia kthejnë atë noterisë.


KREU III
AKTET DHE VEPRIMET NOTERIALE
Testamenti



Neni 52

Kur testamenti kërkohet të bëhet me akt noterial, trashëgimlënësi duhet të disponojë para
noterit, i cili përpilon aktin përkatës, sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj.
Noteri pasi të ketë shënuar identitetin e trashëgimlënësit, datën dhe orën e saktë të përpilimit
të këtij akti, si dhe të jetë bindur për zotësinë juridike për të vepruar të trashëgimlënësit, njofton atë kur disponimi vjen në kundërshtim me ligjin, por ai nuk mund të hyjë në shqyrtimin e çështjeve konkrete, si rrethi i personave të caktuar në testament si trashëgimtarë, qënia e trashëgimlënësit si pronar i pasurisë së lënë në trashëgim, e çështje të tjera të kësaj natyre.


Neni 53

Kur noteri vihet në dijeni zyrtarisht nga personat e interesuar për vdekjen e personit që ka bërë testamentin, mban një procesverbal, në të cilin përmendet akti i vdekjes dhe bën kalimin e testamentit në regjistrin e përgjithshëm të akteve noteriale.
Njëkohësisht ai njofton me shkrim personat për të cilët disponon testament.
Aktet për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme


Neni 54

(Shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 15)
Akti noterial për tjetërsimin ose njohjen e pronësisë mbi sende të paluajtshme, ose të një të drejte reale mbi to, kryhet nga noteri, pasi të ketë verifikuar pronësinë e palës mbi sendin e
paluajtshëm. Për këtë qëllim ajo i paraqet noterit dokumentet e pronësisë të lëshuara nga organi
kompetent dhe, kur sendi nuk figuron i regjistruar, një vendim gjyqësor detyrimi për vërtetim
pronësie.
Noteri duhet të shënojë në akt verifikimin e bërë.
Vërtetimi i nënshkrimeve.


Neni 55

Vërtetimi i nënshkrimeve bëhet për akte private që nuk përmbajnë lidhjen e një kontrate ose kryerjen e një veprimi tjetër juridik. Vërtetimi bëhet në fund të aktit, pas nënshkrimeve, duke u bërë shënimi nga noteri se personat u paraqitën personalisht dhe nënshkruan në prani të tij ose pranuan se nënshkrimet janë të tyret.
Vërtetimi i nënshkrimeve në kushte të caktuara me ligj mund të bëhet edhe nga organe
shtetërore.
Vërtetimi i njësisë së kopjeve ose shkurtimeve me origjinalin.


Neni 56

Noteri bën vërtetimin e njësisë së kopjeve ose të shkurtimeve të dokumenteve me origjinalin, pasi të ketë krahasuar përmbajtjen e tyre. Noteri duhet të përmendë në vërtetim se nga kush është paraqitur dokumenti, nga i cili është nxjerrë kopja a shkurtimi, nëse këto janë nxjerrë nga një dokument origjinal apo nga ndonjë kopje tjetër, si dhe shënime nëse këto kanë pasur korrigjime, shtesa, fshirje a shenja të tjera të veçanta.
Lëshimi i kopjeve dhe i shkurtimit të akteve.


Neni 57

Për aktet dhe dokumentet e ndryshme që ruhen në zyrën e noterisë, me kërkesën e të
interesuarit, noteri lëshon kopje, shkurtime e vërtetime të tyre, duke shënuar se kopjet e shkurtimet janë njësoj me origjinalin dhe datën e lëshimit të tyre. Ndryshimet dhe shtesat e bëra në origjinal sipas nenit 50 të këtij ligji, pasqyrohen në dokumentin që lëshohet.
Vërtetimi i datës së paraqitjes së dokumenteve


Neni 58

Vërtetimi i datës së paraqitjes së një a disa dokumenteve në zyrën noteriale bëhet duke u vënë shënimi nga noteri në vetë dokumentin për personin që e ka paraqitur atë dhe datën e paraqitjes e, kur kjo kërkohet, shënohet edhe ora e minuta e paraqitjes.
Vërtetimi i qënies së një personi gjallë ose i vendqëndrimit të tij.


Neni 59

Fakti se një person është i gjallë ose ka një vendqëndrim të caktuar bëhet nga noteri, kur
personi paraqitet para tij ose kur noteri shkon në vendin ku ndodhet personi dhe bën verifikimin e
identitetit të tij, si dhe kur ka të dhëna të pakontestueshme dhe noteri bindet për këtë fakt.
Në vërtetim përmendet me saktësi data, ora dhe minuta e qënies së personit.
Pranimi për ruajtje i dokumenteve


Neni 60

Pranimi për ruajtje i dokumenteve në zyrën e noterisë bëhet me kërkesën e personave të
interesuar, ose kur parashikohet në dispozita të veçanta. Pranimi i dokumenteve mund të bëhet edhe në zarfe të mbyllura e të vulosura. Në një rast të tillë personi duhet të vërë nënshkrimin e tij në zarf.


Neni 61

Për pranimin e dokumenteve për ruajtje noteri mban një procesverbal, i cili përmban datën e pranimit, identitetin e plotë të personit dhe përshkrimin e plotë të dokumentit të pranuar.          Noteri lëshon vërtetim për pranimin e dokumentit.
Dokumenti i dorëzohet vetë personit me kërkesën e tij, ose të personit të caktuar prej tij në procesverbalin e pranimit, personit që me ligj i njihet kjo e drejtë ose trashëgimtarëve të tij.
Për kthimin e dokumentit mbahet procesverbal nga noteri.


Neni 62

Kur gjatë hartimit të një akti noterial del e nevojshme që së bashku me aktin të pranohen për ruajtje edhe tituj me vlerë ose fonde në monedhë të vendit a të huaj, me qëllim që ato t’i jepen një personi të caktuar ose personave të tjerë që u njihet kjo e drejtë me ligj, noteri i pranon ato, duke hapur në të njëjtën kohë një llogari bankare të veçantë. Noteri mban një procesverbal, i cili përmban datën e pranimit, identitetin e plotë të depozituesit, datën e lëshimit të fondeve të pranuara, identitetin dhe drejtimin e banimit të përfituesit të këtij pranimi.
Për marrjen e tyre lëshohet një dëftesë nga noteri.
Njoftimet e akteve jashtëgjyqësore


Neni 63

çdo person mund të kërkojë që noteri t’i komunikojë një kujtesje, deklaratë a një dokument që ai çmon se ka efekte juridike, një personi tjetër.
Kërkuesi ose i dorëzon noterit dokumentin që do të komunikohet, ose deklaron përpara tij. Në këtë rast noteri mban procesverbalin përkatës, të cilin ia komunikon mandej personit ose palës tjetër.
Noteri i bën njoftimet me letër të porositur. Po në këtë mënyrë i njofton edhe përgjigjen.
Për të gjitha këto ai mban një procesverbal, të cilin e arkivon në dosjen e njoftimeve.
Komunikimi mund të kryhet edhe me telegrame, fakse e telefakse, sipas rregullave të caktuara nga ministri i Drejtësisë.
Kundërshtimi i çekut dhe i kambialit


Neni 64

Kundërshtimi i çekut dhe i kambialit bëhet sipas rregullave të parashikuara në ligjin përkatës.
Kryerja dhe vërtetimi i përkthimeve.


Neni 65

(ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 16)
Përkthimi i një dokumenti nga një gjuhë e huaj në gjuhën shqipe dhe anasjelltas bëhet nga vetë noteri sipas ligjit dhe, kur ky nuk e di gjuhën e huaj, bëhet nga një përkthyes i njohur nga noteri sipas ligjit. Përkthimi shkruhet në fund ose përbri dokumentit dhe nënshkruhet përkatësisht nga noteri sipas ligjit ose përkthyesi. Nënshkrimi i këtij të fundit vërtetohet nga noteri sipas ligjit.
Kryerja e inventarëve


Neni 66

Noteri, me kërkesën e shtetasve, kur e ngarkon ligji ose gjykata, kryen inventare të pasurisë, bën përshkrimin e gjendjes së sendeve dhe kryen veprime të tjera të kësaj natyre, duke mbajtur procesverbal sipas kërkesave të këtij ligji.


KREU IV
PAVLEFSHMËRIA E AKTEVE DHE E VEPRIMEVE NOTERIALE DHE
REGJISTRAT E NOTERISË

Aktet dhe veprimet noteriale të pavlefshme

Neni 67
(riformuluar shkronja ”e”me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004, neni 21)

Janë të pavlefshme aktet dhe veprimet juridike, kur:
a) kryerja e tyre është në kompetencën e një organi tjetër shtetëror;
b) në aktin ose në veprimin noterial kanë marrë pjesë personat që tregohen në nenin 42 të këtij
ligji;
c) akti noterial përmban disponim në dobi të personave, për të cilët parashikohen ndalime
sipas nenit 42 të këtij ligji;
ç) akti noterial ose vërtetimi i nënshkrimeve janë bërë pa qenë të pranishëm personalisht palët,
ose përfaqësuesit e tyre me prokurë;
d) noteri nuk u ka lexuar palëve përmbajtjen e aktit noterial;
dh) në aktin noterial nuk tregohet identiteti i palëve, data dhe vendi ku është bërë;
e) akti ose veprimi noterial nuk përmban nënshkrimin e palëve ose nuk është nënshkruar
dhe vulosur me të dyja vulat nga noteri.
ë) akti noterial është hartuar pa u respektuar rregullat e parashikuara nga nenet 43 deri 46 të
këtij ligji.


Neni 68

Pavlefshmëria e aktit ose e veprimit noterial mund të kërkohet nga personat që kanë marrë pjesë në hartimin e tij dhe nga çdo person që heq të drejta e merr përsipër detyrime prej tyre.
Kërkesa shqyrtohet nga gjykata e rrethit gjyqësor, në territorin e së cilës e ushtron
veprimtarinë zyra noteriale që ka kryer këto akte a veprime noteriale.


Neni 69

Në vendimin e gjykatës që deklaron të pavlefshëm një akt noterial, urdhërohet zyra përkatëse e noterisë të bëjë shënimet e duhura në origjinalin e aktit, i cili ndodhet i depozituar në këtë zyrë.
Regjistrat noteriale


Neni 70

Në çdo zyrë noteriale është e detyrueshme të mbahen:
a) regjistri i përgjithshëm ku regjistrohen të gjitha aktet dhe veprimet noteriale;
b) regjistri i testamenteve
c) regjistri i depozitimit të parave ose të vlerave të tjera.
Me urdhër të kryetarit të gjykatës së rrethit gjyqësor, një gjyqtar i kësaj gjykate bën
numërimin e faqeve të regjistrave të mësipërm dhe vë shënimin përkatës në fillim e në fund të tyre, duke i nënshkruar e vulosur me vulën e gjykatës.
Regjistrat shoqërohen me indeksin alfabetik të pjesëmarrësve në aktin ose veprimin noterial.


Neni 71

(shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001, neni 17)
Ministri i Drejtësisë nxjerr udhëzim të veçantë për eivdencimin administrimin dhe ruajtjen e akteve e të dokumenteve noteriale, si dhe për organizimin, funksionimin dhe ruajtjen e arkivave noterialë.


KREU V
DISPOZITA Të FUNDIT


Neni 72

Kreu XVII, nenet 220 deri 225 të kodit të procedurës civile të Republikës së Shqipërisë,
miratuar me ligjin nr.6341, datë 27.6.1981, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj, shfuqizohen.


Neni 73

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe ka efekt prapaveprues përsa I përket provimit të kualifikimit të parashikuar nga shkronja “c” e nenit 2.
Dispozitë e parashikuar me ligjin .9216, datë 1.4.2004


Neni 22

Në përjashtim të kushteve dhe procedurave për plotësimin e vendit vakant, sipas neneve 3/a dhe 3/ç të këtij ligji, si dhe të administrimit dhe marrjes në dorëzim të regjistrave dhe akteve noteriale, sipas nenit 20 të tij, plotësimi i vendit vakant që krijohet për shkak të heqjes dorë nga ushtrimi I profesionit, plotësimit të moshës 65 vjeç ose vdekjes së noterit, i ofrohet nga Ministri i Drejtësisë bashkëshortes/bashkëshortit ose fëmijëve të tij/saj, nëse ata fitojnë mbi 80 për qind të pikëve të konkurrimit ose ushtrojnë profesionin e noterit.
Në rastin e parashikuar në paragrafin e mësipërm, noteri ka të drejtën të kërkojë t’i dorëzohen regjistrat dhe aktet noteriale të arkivit të noterit që nuk ushtron më profesionin e tij.


Neni 24

Dispozita kalimtare të parashikuara me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004
Periudha e ushtrimit të veprimtarisë së stazhierit ose asistentit, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, është e vlefshme për efekt të ecurisë së afatit dyvjeçar të punës së asistentit.


Neni 25

Ngarkohen Ministri i Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të neneve 3/c paragrafi i fundit, 16 paragrafi i fundit dhe 17 paragrafi i fundit.


Ligj nr.7829, datë 1.6.1994 shpallur me dekretin nr.863, datë 14.6.1994 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha.
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.7, faqe 361

Ligj nr.7920, datë 19.4.1995 shpallur me dekretin nr.1092, datë 4.5.1995 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.11, faqe 451

Ligj nr.8790, datë 10.5.2001 shpallur me dekretin nr.3024 datë, 24.5.2001, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.29, faqe 889

Ligj nr.9216, date 1.4.2004 shpallur me dekretin nr.4213 datë,26.4.2004 , të Presidentit të
Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu
Botuar në Fletoren Zyrtare nr.28, faqe 2421


 

Copyright ©. All rights reserved 1st Real Estate. Design by ENIAC