Shqip | English
 

Ligji për Pronësinë në Zonat Turistike



REPUBLIKA E SHQIPËRISË KUVENDI
L I G J
Nr.10 186, datë 5.11.2009
PËR RREGULLIMIN E PRONËSISË MBI TRUALLIN SHTETËROR NË ZONAT ME PëRPARëSI TURIZMIN

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83 pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

K U V E N D I I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:


KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME


Neni 1

Objekti
Ky ligj rregullon marrëdhëniet e pronësisë mbi truallin dhe objektet e ndërtuara në zonat e stimuluara me përparësi turizmin, që janë dhënë për realizimin e veprimtarive të stimuluara, të krijuara para hyrjes në fuqi të këtij ligji.


Neni 2

Përkufizime
1. Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) "Zonë e stimuluar" është çdo pjesë e territorit të Republikës së Shqipërisë, ku ndodhen pasuritë e paluajtshme, të dhëna për kryerjen e veprimtarive të stimuluara.

b) "Veprimtari e stimuluar" është çdo nismë për sigurimin e përfitimeve monetare, nëpërmjet industrisë së turizmit, e kryer në përputhje me dispozitat e ligjit nr. 7665, datë 21.01.1993 "Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin", të shfuqizuar.

c) "Person i stimuluar" është personi fizik ose juridik, i cili ka lidhur marrëveshje qiraje dhe zhvillimi me qiradhënësin për një veprimtari të stimuluar.

ç) "Marrëveshje qiraje dhe zhvillimi" është marrëveshja e lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit, ku përcaktohen kushtet specifike për realizimin e veprimtarisë së stimuluar.

d) "Njësi e ndërtuar" është objekti ose tërësia e objekteve të ndërtuara nga personi i stimuluar në zonën e stimuluar, nëpërmjet marrëveshjes së qirasë dhe zhvillimit, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr.10023, datë 27.11.2008 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.7895, datë 27.1.1995 "Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar".

dh) "Subjekt i interesuar" është personi fizik ose juridik, i cili gëzon njësinë e ndërtuar dhe që ka kryer një veprim juridik të drejtpërdrejtë ose të rrjedhur me personin e stimuluar për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar, të ngritur brenda zonës së stimuluar, përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji.

e) "Qiradhënës" është autoriteti, i cili ka lidhur marrëveshjet e qirasë dhe të zhvillimit me personin e stimuluar. ë) "Truall" është e gjithë sipërfaqja e tokës së zonës së stimuluar, brenda së cilës është ngritur njësia apo njësitë e ndërtuara, sipas marrëveshjes së qirasë dhe zhvillimit.

f) "Fshirje regjistrimi" është shënimi në kolonën përkatëse të regjistrit të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, bazuar në vendimin e Kryeregjistruesit, pas verifikimit të të dhënave mbi gjendjen juridike të njësisë së ndërtuar dhe truallit.

g) "Ministër përgjegjës" është ministri, në varësinë e të cilit është ALUIZNI.

2. Institucioni përgjegjës për kryerjen e procedurave për kalimin e pronësisë subjekteve të interesuara, mbi njësitë e ndërtuara dhe truallin brenda zonës së stimuluar, është Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale", më poshtë ALUIZNI, e krijuar me ligjin nr. 9482, datë 3.4.2006 "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje" të ndryshuar.


Neni 3

Fusha e zbatimit

Ky ligj zbatohet për kalimin e së drejtës së pronësisë subjekteve të interesuara apo personave të stimuluar mbi njësitë e ndërtuara dhe truallin brenda zonës së stimuluar.



KREU II
PROCEDURA E KALIMIT TË PRONËSISË




Neni 4

Dokumentet që duhet të paraqesë subjekti i interesuar
1. Subjekti i interesuar, që gëzon njësinë e ndërtuar, duhet të paraqesë pranë ALUIZNI-it, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet e mëposhtme:

a) kërkesën për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, të plotësuar sipas formularit tip të miratuar nga ministri përgjegjës;

b) kontratën e lidhur me personin e stimuluar për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar; c) planimetrinë dhe sipërfaqen në m2 të njësisë së ndërtuar;

ç) dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtuar, nëse ka;

d) kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.

2. Në rast se njësia apo njësitë e ndërtuara gëzohen nga dy ose më shumë subjekte të interesuara, atëherë kërkesa paraqitet për kalimin e së drejtës së bashkëpronësisë në tërësi mbi truallin.



Neni 5

Dokumentet që duhet të paraqesë personi i stimuluar

1. Personi i stimuluar që gëzon njësinë e ndërtuar brenda zonës së stimuluar, duhet të paraqesë pranë ALUIZNI-it, brenda 60 ditëve pas njoftimit publik, dokumentet e mëposhtme:

a) kërkesën për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, sipas formularit tip të miratuar nga ministri përgjegjës;

b) marrëveshjen e qirasë apo të zhvillimit të lidhur ndërmjet personit të stimuluar dhe qiradhënësit;

c) lejen e ndërtimit për njësinë e ndërtuar;

ç) planimetrinë dhe sipërfaqen në m2 të njësisë së ndërtuar;

d) dokumentet e pronësisë për njësinë e ndërtuar, nëse ka;

dh) kopje të dokumentit të identifikimit ose ekstrakt të regjistrit tregtar.

2. Në rast se njësia apo njësitë e ndërtuara gëzohen nga dy ose më shumë persona të stimuluar, atëherë kërkesa paraqitet për kalimin e së drejtës së bashkëpronësisë në tërësi mbi truallin.


Neni 6

Njoftimi publik
1. Për sigurimin e dokumentacionit të përcaktuar në nenet 4 dhe 5 të këtij ligji, ALUIZNI, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, njofton në mënyrë publike subjektet e interesuara dhe personat e stimuluar.
2. Rregulla më të hollësishme për afatin, përmbajtjen dhe mënyrën e njoftimit publik përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 7

Verifikimi i të dhënave

1. Me depozitimin e dokumentacionit të përcaktuar në nenet 4 dhe 5 të këtij ligji, ALUIZNI bën hedhjen e të dhënave, sipas formularit të përcaktuar në udhëzimin e ministrit përgjegjës.
2. ALUIZNI bashkërendon punën me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për verifikimin e gjendjes juridike dhe në terren të njësive të ndërtuara dhe me Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për të evidentuar nëse ka kërkesa të depozituara nga subjekte, të cilat pretendojnë të drejtën e pronësisë mbi zonën e stimuluar.
3. ALUIZNI, në përfundim të verifikimeve të kryera me institucionet e përmendura në pikën 2 të këtij neni, harton një relacion shpjegues mbi procesin e verifikimit të kryer dhe një plan rilevimi, duke pasqyruar të dhënat urbanistike të zonës së stimuluar.
4. Rregullat e hollësishme për bashkërendimin e punës, sipas pikës 2 të këtij neni, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.



Neni 8

Fshirja e regjistrimit të veprimit juridik
1. Relacioni shpjegues, i hartuar sipas nenit 7 të këtij ligji, i njoftohet menjëherë Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që verifikon nëse njësia e ndërtuar është e regjistruar. Në këtë rast, me paraqitjen e relacionit, regjistruesi bën pezullimin e regjistrimit dhe mbi pasurinë nuk mund të kryhen veprime, deri në përfundimin e procesit, sipas këtij ligji.
2. Në përfundim të procesit, Kryeregjistruesi vendos fshirjen e regjistrimit të veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale mbi njësinë e ndërtuar, me qëllim regjistrimin e së drejtës së pronësisë mbi pasurinë, sipas këtij ligji.



Neni 9

Pronësia dhe bashkëpronësia në tërësi mbi truallin


1. Subjekti i interesuar ose personi i stimuluar ka të drejtë të kërkojë blerjen e truallit të njësisë së ndërtuar, të cilën provon se e gëzon mbi bazën e dokumenteve të paraqitura në përputhje me nenet 4 dhe 5 të këtij ligji.
2. Nëse njësia e ndërtuar gëzohet nga dy ose më shumë subjekte të interesuara apo persona të stimuluar, ata kanë të drejtë të kërkojnë blerjen e truallit në bashkëpronësi të detyrueshme në tërësi, në raport me sipërfaqjen e njësisë së ndërtuar, të cilën provojnë se e gëzojnë mbi bazën e dokumenteve të paraqitura në përputhje me nenet 4 dhe 5 të këtij ligji.
3. Trualli i fituar në bashkëpronësi, sipas këtij ligji, nga dy ose më shumë persona nuk lejohet të ndahet.
4. çdo veprim juridik, që kryhet me qëllim shkeljen e ndalimit të mësipërm, është absolutisht i pavlefshëm.



Neni 10

Kontrata e shitjes së truallit


1. çmimi i truallit të njësisë së ndërtuar brenda zonës së stimuluar përcaktohet në bazë të hartës së vlerës së tokës, të miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
2. Në rastet e kalimit të së drejtës së bashkëpronësisë së detyrueshme në tërësi, ALUIZNI përcakton pjesën takuese të çmimit pas përllogaritjes së pjesës së truallit, në raport me sipërfaqen e njësisë së ndërtuar, që gëzon secili nga subjektet e interesuara apo personat e stimuluar.
3. Ministri përgjegjës ngarkon ALUIZIN-in të lidhë kontratën e shitjes për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi truallin, sipas modelit tip, si dhe të njoftojë me shkrim subjektin e interesuar ose personin e stimuluar që plotëson kushtet e parashikuara në këtë ligj dhe për masën e çmimit. Modeli tip i kontratës së shitjes miratohet nga ministri përgjegjës.
4. Kontrata e shitjes lidhet pasi të bëhet pagesa e plotë apo e pjesës takuese të çmimit të truallit të njësisë së ndërtuar. Rregulla më të hollësishme për mënyrën dhe llogaritjen e afateve të pagimit të çmimit të truallit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
5. Kontrata e lidhur sipas këtij ligji regjistrohet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi Kryeregjistruesi ka vendosur, nëse është rasti, sipas nenit 8 të këtij ligji. 6. Kontrata e shitjes regjistrohet, pavarësisht nëse janë lidhur ose jo kontratat e personave të tjerë që kanë të drejta bashkëpronësie mbi truallin. Të drejtat e pronësisë mbi truallin përcaktohen në bazë të këtij ligji dhe të kontratës.
7. Kalimi i së drejtës së pronësisë apo i së drejtës së bashkëpronësisë së truallit, sipas kësaj procedure, nuk tatohet, sipas legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat.



Neni 11

Procedura e kalimit të së drejtës së pronësisë të njësisë së ndërtuar


1. Pas fitimit të pronësisë mbi truallin, subjekti i interesuar ka të drejtë të regjistrojë në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kontratën për fitimin e së së drejtës së pronësisë mbi njësinë e ndërtuar, të lidhur me personin e stimuluar.
2. Këtë të drejtë e ka edhe personi i stimuluar për njësinë e ndërtuar që gëzon, sipas marrëveshjes së qirasë dhe të zhvillimit, të lidhur përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, nëse ai nuk ka kryer veprime juridike për kalimin e të drejtave reale me subjekte të interesuara. Në këtë rast, kalimi i së drejtës së pronësisë nuk tatohet, sipas legjislacionit në fuqi për tatimin mbi të ardhurat.
3. Në rastin e njësive të ndërtuara, të paregjistruara në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ALUIZNI përfundon procesin e regjistrimit fillestar të tyre. Për këtë qëllim, ALUIZNI:
a) ndjek procedurat e legjislacionit në fuqi për urbanistikën dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit, kur për njësinë e ndërtuar është dhënë leja e ndërtimit;
b) zbaton procedurat e legjislacionit në fuqi për legalizimin e ndërtimeve informale.



Neni 12

Zgjidhja e mosmarrëveshjeve për të drejtën e pronësisë


1. Kur për të njëjtën pronë kanë pretendime dy ose më shumë persona, ALUIZNI lidh kontratën e kalimit të truallit në pronësi me personin që paraqet kontratën më të hershme për kryerjen e veprimit juridik për kalimin e të drejtave reale, sipas formës së kërkuar nga ligji.
2. Mosmarrëveshjet mbi të drejtat reale në këtë rast zgjidhen nga gjykata kompetente.



Neni 13

Tarifat e shërbimit, të ofruara nga ALUIZNI


Tarifat e shërbimit, të ofruara nga ALUIZNI, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Financave dhe ministrit përgjegjës.



KREU III
PROCEDURA E PëRLLOGARITJES SË ÇMIMIT TË TRUALLIT




Neni 14

Mënyra e pagesës së çmimit të truallit

1. çmimi i truallit reduktohet në masën 10 për qind, nëse paguhet brenda 3 muajve nga njoftimi me shkrim, sipas pikës 3 të nenit 10 të këtij ligji.

2. çmimi i truallit reduktohet në masën 20 për qind, nëse paguhet brenda 1 muaji nga njoftimi me shkrim, sipas pikës 3 të nenit 10 të këtij ligji.

3. Të ardhurat e realizuara nga zbatimi i këtij ligji, me përjashtim të tarifave dhe tatimeve, i transferohen Buxhetit të Shtetit për të kaluar në fondin e kompensimit financiar të parashikuar nga ligji nr.9235, datë 29.7.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", i ndryshuar, për Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

4. Pas këtij transferimi, Këshilli i Ministrave, në nxjerrjen e vendimit vjetor për rregullat dhe kriteret për trajtimin e vendimeve të kompensimit financiar, bazohet edhe në parimin e kompensimit financiar më të parë të subjekteve të shpronësuara, të prekura nga zbatimi i këtij ligji.

5. çmimi i truallit që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar është në raport me sipërfaqen e truallit, në funksion të njësisë së ndërtuar që ai gëzon.

6. Kur trualli i shitet subjektit të interesuar, çmimi paguhet prej tij në masën 80 për qind të vlerës së truallit, ndërsa 20 për qind e kësaj vlere paguhet nga personi i stimuluar.



Neni 15

Mbledhja e tatimeve të prapambetura

1. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe organet e qeverisjes vendore përllogarisin dhe mbledhin të gjitha tatimet e prapambetura, nëse ka, nga personi i stimuluar, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Personi i stimuluar, për të gjitha njësitë e ndërtuara, të shitura përpara datës së hyrjes në fuqi të këtij ligji, sipas kontratës së lidhur me personin blerës, i nënshtrohet shkallës tatimore për tatimet e papaguara, sipas legjislacionit në fuqi, në datën kur është realizuar kontrata e shitjes.
3. Rregullat për afatet dhe mënyrën e mbledhjes së tatimeve të prapambetura përcaktohen me udhëzim të Ministrit të Financave.



KREU IV
DISPOZITA TË FUNDIT


Neni 16
Sanksionet


1. Kur subjekti i interesuar ose personi i stimuluar nuk paraqet kërkesë për kalimin e truallit në pronësi dhe dokumentet, sipas neneve 4 dhe 5 të këtij ligji, trualli konsiderohet i lirë dhe kalon për llogari të kompensimit fizik të ish-pronarëve, sipas ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar.
2. Mospagimi i çmimit nga subjekti i interesuar ose personi i stimuluar brenda 6 muajve nga njoftimi me shkrim, sipas pikës 3 të nenit 10 të këtij ligji, sjell të njëjtat pasoja si në pikën 1 të këtij neni.



Neni 17
Parimet e nxjerrjes së akteve nënligjore


Aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji nxirren duke respektuar parimet e kompensimit të drejtë, të barazisë para ligjit, sigurisë juridike, si dhe të lirisë së veprimtarisë ekonomike.



Neni 18
Shfuqizime


Paragrafi 1/ç i pikës 1 të nenit 6 të ligjit nr. 9235, datë 29.7.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar, shfuqizohet.



Neni 19
Hyrja në fuqi


Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.

K R Y E T A R E

Jozefina Topalli (çoba)




 

Copyright ©. All rights reserved 1st Real Estate. Design by ENIAC