Ligji për Noterinë
L I G J
Nr.7829, datë 1.6.1994
PËR NOTERINË
(ndryshuar me ligjin nr.7920, datë 19.4.1995)
(ndryshuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001)
(ndryshuar me ligjin nr.9216, date 1.4.2004)
(I përditësuar)
Në mbështetje të nenit 16 të ligjit  nr.7491, datë 29.4.1991 “Për dispozitat kryesore
  kushtetuese”, me propozim të Këshillit të  Ministrave,
  
  KUVENDI POPULLOR
  I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
  V E N D O S I :
PJESA I
  ORGANIZIMI I NOTERISË
  
KREU I
  DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
  
  
Neni 1
  Noteria në Republikën e Shqipërisë kryen  veprimtari juridike në shërbim të personave fizikë e juridikë, nëpërmjet  redaktimit të akteve dhe kryerjes së veprimeve noteriale, në pajtim me  Kushtetutën e legjislacionin në fuqi.
  Noteri, në ushtrimin e profesionit të tij,  është i lirë dhe i nënshtrohet vetëm ligjit.
  
Neni 2
  Kushtet për t’u bërë noter 
  (ndryshuar me ligjin nr.8790, datë  10.5.2001, neni 1)
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 1)
  
  1.Profesionin e noterit mund ta ushtrojë  çdo shtetas i Republikës së Shqipërisë, i cili plotëson
  këto kushte:
  a) ka kryer arsimin e lartë juridik;
  b) ka zotësi të plotë për të vepruar;
  c) është jo më pak se 26 vjeç dhe jo më  shumë se 55 vjeç në çastin e dhënies së provimit të
  kualifikimit për marrjen e lejes së  ushtrimit të profesionit të noterit;
  ç) nuk është dënuar me vendim gjyqësor të  formës së prerë për një vepër penale të kryer me
  dashje;
  d) nuk është larguar nga detyra apo  funksioni i gjyqtarit, i prokurorit ose i nëpunësit të
  administratës publike për shkelje të  rregullave dhe të disiplinës në punë gjatë 3 vjetëve të fundit nga
  data e paraqitjes së kërkesës për lejimin  e ushtrimit të profesionit të noterit;
  dh) ka punuar jo më pak se 2 vjet asistent  pranë një noteri;
  e) ka marrë pjesë në provimin e  kualifikimit për marrjen e lejes së ushtrimit të profesionit të
  noterit dhe është vlerësuar me jo më pak  se 80 për qind të pikëve të caktuara për konkurrim;
  ë) është pajisur me lejen e ushtrimit të  profesionit të noterit;
  f) është anëtar i një dhome noterie.
  
  2. Shtetasit që janë deputetë me arsim të  lartë juridik, ose që kanë punuar jo më pak se 2 vjet si
  gjyqtarë, prokurorë, noterë, avokatë, ose  kanë jo më pak se 3 vjet përvojë në pozicionin e drejtuesit, këshilltarit apo  të specialistit të strukturave juridike pranë Presidentit, Kuvendit, Gjykatës  Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Avokatit të Popullit, aparatit të Këshillit të  Ministrave, Ministrisë së Drejtësisë ose në atë të punonjësit akademik të  brendshëm të lëndëve juridike në shkollat e larta universitare përjashtohen nga  afati i parashikuar në pikën 1 shkronja “dh “ të këtij neni.
  
  Neni 2/a
  
  Stazhi 
  (shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001,  neni 2)
  (shfuqizuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 2)
 
 Neni 3
  Kualifikimi 
  (ndryshuar me ligjin nr.8790, datë  10.5.2001, neni 3)
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 3)
  Dhoma Kombëtare e Noterisë njofton për  vendin vakant për ushtrimin e veprimtarisë së
  noterit, i cili shpallet publikisht nga  Ministri i Drejtësisë në Fletoren Zyrtare jo më vonë se 15 ditë
  nga krijimi i këtij vendi.
  Plotësimi i vendit vakant duhet të  realizohet nëpërmjet transferimit të noterëve dhe, nëse kjo nuk është e mundur,  nëpërmjet konkurrimit të shtetasve shqiptarë që plotësojnë kushtet e  parashikuara në nenin 2 të këtij ligji.
  Në mungesë të propozimeve për transferim  të noterëve dhe mbi bazën e kërkesave të
  parashtruara për të ushtruar veprimtarinë  noteriale, Ministri i Drejtësisë organizon konkurrimin për plotësimin e vendit  vakant dhe provimin përkatës të kualifikimit për ushtrimin e profesionit të  noterit jo më vonë se 30 ditë nga afati i përmendur në paragrafin e gjashtë të  nenit 3/ç.
  Provimi i kualifikimit jepet përpara  Komisionit të Kualifikimit për Noterinë, i cili përbëhet nga 3 përfaqësues nga  Ministria e Drejtësisë, 1 përfaqësues i Dhomës Kombëtare të Noterisë dhe 1  pedagog nga Shkolla e Magjistraturës.
  Ministri i Drejtësisë përcakton datën e  konkurrimit, rregullat për funksionimin e Komisionit të Kualifikimit për  Noterinë, kriteret dhe procedurat e organizmit të provimit, si dhe bën  shpalljen e rezultateve të provimit.”.
  
Neni 3/a
  (shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004,  neni 4)
  Ministri i Drejtësisë, për çdo vend vakant  të shpallur, në mbështetje të rezultateve të provimit, i jep fituesit të  konkurrimit lejen për ushtrimin e profesionit të noterit, duke u shprehur edhe  për njësinë vendore ku do të ushtrojë veprimtarinë e tij.
  Shtetasi që është shpallur fitues për  ushtrimin e profesionit të noterit në më shumë se një vend vakant, duhet që  brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit të provimit të njoftojë me shkrim  Ministrinë e Drejtësisë për zgjedhjen e tij.
  Nëse nuk përmbushet detyrimi i përcaktuar  në paragrafin e dytë të këtij neni, Ministri i
  Drejtësisë cakton vendin vakant që do të  plotësojë fituesi, si dhe vendet e tjera vakante që do të
  plotësohen nga konkurrentët e renditur  menjëherë pas fituesit, por që kanë marrë mbi 80 për qind të pikëve.
  
Neni 3/b
  (shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004,  neni 4)
  Leja për ushtrimin e profesionit të  noterit, së bashku me të dhënat përkatëse, regjistrohen në regjistrin e  noterëve pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe në Dhomën Kombëtare të Noterisë.
  Shtetasi i pajisur me lejen e ushtrimit të  profesionit të noterit nga Ministri i Drejtësisë duhet të
  fillojë ushtrimin e veprimtarisë noteriale  në vendin e shpallur vakant jo më vonë se 60 ditë nga data e lëshimit të lejes.  Me kalimin e këtij afati, sipas njoftimit nga Dhoma Kombëtare e Noterisë ose  vetë i interesuari, leja për ushtrimin e veprimtarisë noteriale shfuqizohet dhe  Ministri i Drejtësisë, mbështetur në rezultatet e konkurrimit, i jep lejen e  ushtrimit të profesionit të noterit shtetasit të renditur menjëherë pas  fituesit të konkurrimit. Në rast se edhe ky i fundit nuk e fillon ushtrimin e  veprimtarisë së tij noteriale brenda afatit 60-ditor, leja për ushtrimin e  profesionit të noterit shfuqizohet dhe nëse nuk ka fitues të tjerë që kanë  marrë mbi 80 për qind të pikëve, për plotësimin e vendit vakant zhvillohet një  konkurrim i ri.
  
Neni 3/c
  Asistenca 
  (shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001,  neni 4)
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 5)
  Noteri, në ushtrimin e veprimtarisë së vet  noteriale, mund të asistohet nga një ose më shumë asistentë.
  Brenda 15 ditëve nga lidhja e kontratës me  asistentin, noteri duhet të depozitojë në dhomën e noterisë ku është anëtar, në  Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe në Ministrinë e Drejtësisë kopje të kontratës  dhe dokumentacionin ligjor të kërkuar për asistentët.
  Përpara fillimit të ushtrimit të  veprimtarisë së tij, asistenti duhet të regjistrohet në regjistrin përkatës të  Ministrisë së Drejtësisë dhe të depozitojë dokumentacionin e kërkuar prej saj.
  Asistenti që ka më shumë se 2 vjet në  ushtrimin e kësaj veprimtarie, pajiset me certifikatë të lëshuar nga Dhoma  Kombëtare e Noterisë pasi të jetë marrë edhe vlerësimi pozitiv i noterit, pranë  të cilit ka punuar asistenti.
  Asistenti i pajisur me certifikatë dhe që  plotëson kushtet e tjera të përcaktuara në nenin 2 të këtij ligji, ka të drejtë  të marrë pjesë në konkurrimet e organizuara për ushtrimin e profesionit të  noterit në plotësimin e vendeve vakante.
  Ministri i Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare  e Noterisë caktojnë bashkërisht rregulla të
  hollësishme lidhur me procedurat e  paraqitjes së kërkesës dhe caktimit të asistentit pranë noterit, si dhe të  drejtat dhe detyrimet e tyre gjatë përiudhës së ushtrimit të kësaj veprimtarie.
  
Neni 3/ç
  (shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004,  neni 6)
  Transferimi i noterit bëhet vetëm me  kërkesën e tij.
  Noteri që kërkon të transferohet,  regjistrohet në listën e noterëve që janë në pritje për
  transferim, e cila mbahet nga Dhoma  Kombëtare e Noterisë.
  Dhoma Kombëtare e Noterisë, brenda 30  ditëve nga regjistrimi i kërkesës, i dërgon Ministrisë së Drejtësisë njoftimin  zyrtar për këtë regjistrim dhe një kopje të kërkesës përkatëse të noterit që  kërkon të transferohet.
  Noterët kanë të drejtën e transferimit të  veprimtarisë së tyre në një tjetër juridiksion rrethi
  gjyqësor në përputhje me radhën e  regjistrimit të kërkesave përkatëse të transferimit për atë
  juridiksion, që rezulton nga lista e  përmendur në paragrafin e dytë të këtij neni.
  Lejimi i një noteri për të transferuar  veprimtarinë e vet në juridiksionin e një rrethi tjetër
  gjyqësor bëhet nga Ministri i Drejtësisë,  pasi ka marrë më parë mendimin me shkrim të Dhomës
  Kombëtare të Noterisë për këtë transferim.  Dhoma Kombëtare e Noterisë duhet të japë mendimin e saj me shkrim brenda 15  ditëve nga data e shpalljes në Fletoren Zyrtare të vendit vakant të noterit në  atë juridiksion.
  Ministri i Drejtësisë lejon transferimin e  veprimtarisë së një noteri jo më vonë se 30 ditë nga data e shpalljes në Fletoren  Zyrtare të vendit vakant të noterit në atë juridiksion.
  Në asnjë rast transferimet nuk mund të  përbëjnë më shumë se 50 për qind të vendeve vakante për çdo dhomë noterie.
  Noteri i transferuar duhet të fillojë  ushtrimin e veprimtarisë noteriale në rrethin gjyqësor ku është transferuar jo  më vonë se 60 ditë nga data e daljes së urdhrit të Ministrit të Drejtësisë për
  transferimin e tij. Me kalimin e këtij  afati, noterit të transferuar i hiqet leja për ushtrimin e profesionit të  noterit.
  
  
  Neni 4
  
  Për efekt të ushtrimit të funksioneve të  tij, noteri barazohet me nëpunësin publik dhe gëzon
  mbrojtjen sipas ligjit.
  
  
  Neni 5
  
  Noteri nuk mund të jetë gjyqtar, prokuror,  hetues, avokat, arbitër i zgjedhur nga palët dhe as të
  kryejë veprimtari tjetër publike e  private, përveç asaj shkencore e mësimdhënëse.
  
  
  Neni 6
  
  (Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë  10.5.2001, neni 5)
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 7)
  Heqja e lejes së ushtrimit të profesionit  të noterit bëhet me urdhër të Ministrit të Drejtësisë kur:
  a) heq dorë me kërkesën e tij nga ushtrimi  i profesionit të noterit;
  b) mbush moshën 65 vjeç;
  c) humbet zotësinë e plotë për të vepruar;
  ç) bëhet i paaftë për të ushtruar  veprimtarinë për shkak sëmundjeje për një kohë më të gjatë se
  6 muaj gjatë një viti;
  d) vërtetohet se është emëruar në  kundërshtim me kushtet e përcaktuara në nenin 2 të këtij
  ligji;
  dh) dënohet për një vepër penale të kryer  me dashje;
  e) tregon paaftësi profesionale në  kryerjen e detyrës;
  ë) nuk ushtron veprimtarinë noteriale për  një periudhë kohe deri në 30 ditë rresht pa njoftuar
  me shkrim Dhomën Kombëtare të Noterisë dhe  Ministrinë e Drejtësisë;
  f) shkel rëndë ose në mënyrë të përsëritur  rregullat që lidhen me ushtrimin e profesionit të
  noterit, të parashikuara në këtë ligj dhe  në Kodin e Etikës Profesionale, të propozuar nga Dhoma
  Kombëtare e Noterisë dhe të miratuar nga  Ministri i Drejtësisë;
  g) i është dhënë në mënyrë të përsëritur  masa disiplinore e parashikuar në nenin 7 shkronja
  “b” të këtij ligji;
  gj) i është dhënë paraprakisht një nga  masat disiplinore të shkronjave “c” dhe “ç” të nenit 7 të
  këtij ligji dhe kjo masë disiplinore nuk  është parashkruar.
  
  
  Neni 7
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004)
  
  Për shkelje të dispozitave që rregullojnë  ushtrimin e profesionit dhe të veprimtarisë së noterit, ndaj tyre jepen këto  masa disiplinore:
  a) vërejtje;
  b) gjobë nga 5 000 deri në 50 000 lekë;
  c) vërejtje me paralajmërim për heqje të  lejes për ushtrimin e profesionit të noterit;
  ç) heqje e lejes së ushtrimit të  veprimtarisë së noterit për një periudhë deri në 2 vjet;
  d) heqje e lejes së ushtrimit të veprimtarisë  së noterit.
  
  
  Neni 8
  
  (shtuar paragrafi i fundit me ligjin  nr.8790, datë 10.5.2001, neni 6)
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 9)
  Masat disiplinore të parashikuara në  shkronjat “a”, “b” dhe “c” të nenit 7 të këtij ligji jepen nga Ministri i  Drejtësisë nëse vërtetohen shkelje nga verifikimet dhe inspektimet e kryera  kryesisht prej tij ose nga dhoma e noterisë ku është anëtar noteri, i cili  procedohet disiplinarisht.  Në rast se  dhoma e noterisë refuzon të japë masën displinore pa shkaqe të motivuara, me  kërkesë të personit të dëmtuar, ajo mund të jepet nga Ministri i Drejtësisë.
  Masat disiplinore të parashikuara në  shkronjat “c” dhe “d” të nenit 7 të këtij ligji jepen nga Ministri i  Drejtësisë, me propozimin e dhomës së noterisë ku është anëtar noteri që do të  procedohet disiplinarisht ose kryesisht, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim  të kësaj dhome.
  Masat displinore jepen brenda 6 muajve nga  data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 3 vjet nga momenti i kryerjes  së saj.
  Masat disiplinore jepen sipas një  procedure, e cila garanton të drejtën për t’u informuar, për të kërkuar sqarime  rreth fakteve, për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
  
  
  Neni 9
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 10)
  
  Kundër Urdhrit të Ministrit të Drejtësisë  për dhënien e lejes së ushtrimit të profesionit të
  noterit, për transferimin e noterit ose  për përsëritjen e konkurrimit për vendet vakante, për procedurën e zhvillimit  të provimit të kualifikimit, si dhe për masat disiplinore të dhëna ndaj noterit  mund të bëhet ankim brenda 15 ditëve nga data e njoftimit në Gjykatën e Apelit  Tiranë. E njëjta rrugë ankimore ndiqet edhe për masat displinore të dhëna nga  dhoma e noterisë ku bën pjesë noteri, ndaj të cilit është marrë masa  disiplinore.
  Urdhrat e Ministrit të Drejtësisë që  përmbajnë masa disiplinore, pas kalimit të afatit të ankimit ose kur lihen në  fuqi nga gjykata, regjistrohen në regjistrin e noterëve pranë Ministrisë së  Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë. Një kopje e tyre depozitohet në  dosjen e noterit.
  
  
  Neni 10
  
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 11)
  Masat disiplinore të dhëna sipas nenit 7  të këtij ligji konsiderohen se nuk janë dhënë në rastet kur nga data e dhënies  së tyre:
  a) ka kaluar 1 vit për masën disiplinore të  vërejtjes;
  b) kanë kaluar 2 vjet për masën  disiplinore të vërejtjes me paralajmërim për heqjen e lejes së
  ushtrimit të profesionit të noterit;
  c) kanë kaluar 3 vjet për masën  disiplinore për heqjen e përkohshme të lejes së ushtrimit të
  profesionit të noterit.
  
  
  Neni 11
  (Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë  10.5.2001, neni 7)
  
  Noteri, para se të fillojë detyrën e tij,  bën këtë betim:
  “Betohem se detyrat e noterit do t’i kryej  në bazë të ligjit dhe ndërgjegjes duke i qëndruar besnik
  Kushtetutës së Republikës të Shqipëris, do  të ruaj sekretin profesional dhe në qëndrimet dhe sjelljet e mia do të  udhëhiqem nga parimet e humanizmit e të respektit ndaj njeriut”. Betimi bëhet  përpara ministrit të Drejtësisë ose personit të autorizuar prej tij.
  
  
  Neni 12
  (Shtuar paragrafi i dytë me ligjin  nr.8790, datë 10.5.2001, neni 11 )
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 12)
  
  Noteri mund të ushtrojë veprimtarinë e vet  vetëm në një zyrë noterie.
  Në një zyrë noterie duhet të punojë vetëm  një noter dhe në ushtrimin e veprimtarisë ai mund të ndihmohet nga asistentët  ose personeli administrativ. Dy ose më shumë noterë mund të punojnë bashkë në  një zyrë noterie vetëm me miratimin e Dhomës Kombëtare të Noterisë.
  Përpara fillimit të ushtrimit të  veprimtarisë, në rastet e transferimit ose të ndryshimit të
  vendndodhjes së zyrës së noterisë, noteri  duhet të lajmërojë me shkrim Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të  Noterisë brenda 15 ditëve nga fillimi i veprimtarisë në adresën e re.
  Noteri duhet të sigurojë zyra dhe mjedise  të sigurta e të përshtatshme për të ushtruar
  veprimtarinë dhe profesionin e noterit.  Kushtet minimale që duhet të plotësojë një noter për
  vendndodhjen, mjediset, pajisjet dhe  paraqitjen e zyrës së noterisë caktohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë,  pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë.”.
  
  
  Neni 13
  Noteri ka të drejtë të ketë llogari  rrjedhëse në bankë.
  
  Neni 14
  Ministria e Drejtësisë ushtron kontrollin  mbi veprimtarinë ligjore të noterëve.  Nuk i nënshtrohen kontrollit aktet e  vullnetit të fundit, sa kohë që është gjallë trashëgimtari  testamentar.
  
  Neni 15
  (Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë  10.5.2001, neni 9)
  
  Në veprimtarinë noteriale përdoret gjuha  shqipe. Kur kërkuesi nuk di shqip ose aktet noteriale kërkohen të hartohen në  gjuhë të huaj dhe noteri nuk i kryen vetë, përdoret përkthyesi i njohur sipas  ligjit.
  
  
  Neni 16
  (shtuar paragrafi i parë me ligjin nr.7920, datë 19.4.1995, neni 1) 
  (ndryshuar paragrafi i dytë me ligjin  nr.8790, datë 10.5.2001, neni 10)
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 13)
  
  Numri i përgjithshëm i noterëve që  ushtrojnë veprimtarinë tyre në territorin e Republikës së Shqipërisë duhet të  jetë në përpjesëtim të arsyeshëm me numrin e përgjithshëm të popullsisë.
  Ministri i Drejtësisë, në bazë të numrit  të popullsisë dhe të vëllimit të punës së veprimtarisë
  noteriale, pasi të ketë marrë mendimin me  shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë, cakton çdo dy vjet numrin e  përgjithshëm të noterëve për çdo rreth gjyqësor, si dhe mbulimin përkatës për  çdo bashki së bashku me komunat pranë saj.
  Noteri nuk mund të ushtrojë veprimtarinë e  tij jashtë territorit të njësive vendore të caktuara në urdhrin e Ministrit të  Drejtësisë, me përjashtim të rasteve të veçanta kur një gjë e tillë miratohet,  për një periudhë kohore jo më shumë se 60 ditë, nga të dy dhomat përkatëse të  noterisë. Kryerja nga noteri e akteve dhe e veprimeve noteriale jashtë  territorit të përcaktuar për ushtrimin e veprimtarisë së tij nuk sjell  pavlefshmërinë tyre.
  Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare  e Noterisë, veç e veç, mbajnë regjistra për
  noterët dhe asistentët, si dhe  administrojnë dokumentacionin që lidhet me marrjen dhe heqjen e lejes së  ushtrimit të profesionit të noterit, transferimet e tyre, përmbushjen e  detyrimeve ligjore dhe ecurinë disiplinore të noterëve dhe asistentëve.
  Forma dhe përmbajtja e regjistrave të  noterëve dhe asistentëve, mënyra dhe procedurat e
  mbajtjes së tyre dhe elementet e  dokumentacionit që përfshihen në dosjet e noterëve dhe asistentëve caktohen me  urdhër të Ministrit të Drejtësisë, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të  Dhomës Kombëtare të Noterisë.
  
  
  Neni 17
  
  (Ndryshuar me ligjin nr.8790, datë  10.5.2001, neni 11)
  (shtuar me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004,  neni 14)
  Noteri ka dy vula, njëra nga të cilat e  thatë, të cilat përmbajnë: emrin, shkronjën e parë të  atësisë, mbiemrin dhe vendin e ndodhjes së  zyrës noteriale. Akti, që nuk përmban dy llojet e vulave, është i pavlefshëm. 
  Në Ministrinë e Drejtësisë depozitohen  vulat, firma dhe kontrata e sigurimit për shkak të  detyrës së noterit.
  Dhoma Kombëtare e Noterisë pajis me vulë  fituesin e konkurrimit ose noterin e transferuar për vendin vakant. Shpenzimet  për përgatitjen e vulave përballohen nga noteri.
  Forma, përmbajtja dhe karakteristikat e  tjera të vulave, si dhe rregullat për pajisjen dhe
  administrimin e tyre përcaktohen nga  Ministri i Drejtësisë, pasi të ketë marrë mendimin me shkrim të Dhomës  Kombëtare të Noterisë.
  
  
  Neni 18
  
  Noteri detyrohet të përmbushë funksionet e  veta kurdoherë e posaçërisht për veprimet
  noteriale që nuk presin, si dhe t’u  përgjigjet kërkesave të shtetasve në çdo vend të territorit ku e shtrin  juridiksionin zyra noteriale e tij.
  
  
  Neni 19
  
  çdo zyrë noteriale duhet të jetë e pajisur  me një listë që përmban identitetin e personave, të cilëve, me vendim të formës  së prerë të gjykatës, u është hequr zotësia për të vepruar, janë deklaruar të  falimentuar ose janë ndaluar të marrin detyra publike të caktuara. Në këto  raste gjykatat u dërgojnë dhomave të noterëve në rrethe njoftimin përkatës.
  
  Neni 20
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 15)
  
  Në rast vdekjeje ose mase disiplinore të  dhënë sipas shkronjave “ç” dhe “d” të nenit 7 të këtij ligji, personi i  autorizuar nga Ministri i Drejtësisë dhe dhoma përkatëse e noterisë merr në  dorëzim regjistrat dhe aktet noteriale të arkivës së noterit dhe ia dorëzon për  ruajtje një noteri të të njëjtit rreth gjyqësor.
  Vulat e noterit, të cilit i është dhënë  masa disiplinore, sipas shkronjës “ç” të nenit 7 të këtij ligji, mbahen në  Ministrinë e Drejtësisë dhe i dorëzohen noterit me urdhër të Ministrit të  Drejtësisë pas shlyerjes së masës disiplinore.
  Vulat e noterit të vdekur dhe të atij që i  është dhënë masa disiplinore e heqjes së ushtrimit të veprimtarisë së noterit  nxirren jashtë përdorimit me proceverbal nga personat e autorizuar nga Ministri  i Drejtësisë, dhoma përkatëse e noterisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë.
  Në rast moszbatimi vullnetar, urdhri i  Ministrit të Drejtësisë për dorëzimin e dokumentacionit të përmendur në  paragrafin e parë të këtij neni, përbën titull ekzekutiv dhe ngarkohet zyra e  përmbarimit me ekzekutimin e tij.
  
  
  Neni 21
  
  Përveç kontrollit për aktivitetin  profesional të parashikuar në këtë ligj, zyra e noterit nuk mund  të kontrollohet pa një vendim të gjykatës  të motivuar dhe që vë në dukje qëllimin e kufijtë e këtij 
  kontrolli.
  
  
  KREU II
  Të DREJTAT DHE DETYRAT E NOTERIT
  
  
  Neni 22
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 16)
  
  Noteri ka këto të drejta:
  - Të hartojë testamente, projekte për  veprime të tjera juridike e dokumente, të japë kopje
  dokumentesh dhe shkurtime prej tyre, si  dhe të kryejë veprime të tjera noteriale, të parashikuara nga ligji.
  - Të japë sqarime për probleme që kanë të  bëjnë me kryerjen e veprimeve noteriale.
  - Të kërkojë nga personat fizikë e  juridikë të dhëna e dokumente që janë të domosdoshme për 
  kryerjen e akteve dhe të veprimeve  noteriale.
  - të kërkojë dhe të shpërblehet për punën  e kryer;
  - të organizojë ose të marrë pjesë në  organizime profesionale kolektive.
  
  
  Neni 23
  
  Noteri ka për detyrë:
  - Të kryejë për personat fizikë e juridikë  ato veprime që synojnë realizimin e të drejtave dhe
  mbrojtjen e interesave të tyre të  ligjshme, t’i sqarojë ata për të drejtat dhe detyrat që rrjedhin prej tyre, si  dhe të paralajmërojë për pasojat që vijnë nga kryerja e veprimeve noteriale, me  qëllim që të mos dëmtohen interesat e tyre nga mosdijenia e ligjit.
  - Të kryejë detyrat e tij me paanësi, në  bazë të ligjit dhe të betimit të bërë si noter.
  - Të ruajë të dhënat me të cilat është  njohur gjatë kryerjes së veprimtarisë së tij dhe që
  përbëjnë sekret profesional.
  - Të dhëna për përmbajtjen e akteve noteriale  të kryera mund t’u jepen vetëm personave, në
  emër të cilëve janë kryer këto veprime.
  Gjykata, prokuroria dhe hetuesia mund të  njihen me të dhëna të kësaj natyre, kur kanë filluar
  ndjekjet penale kundër noterit lidhur me  detyrën e tij, ose kundër shtetasit që është subjekt në veprime noteriale të  kryera, por gjithnjë pa u dëmtuar interesat themelore të shtetit a shtetasve të  veçantë.
  - Të moslejojë njohjen me përmbajtjen e  testamenteve, lëshimin e kopjeve a shkurtimeve të
  tyre para vdekjes së trashëgimlënësit  testamentar, përveç rasteve kur e kërkon vetë ai ose përfaqësuesi i tij me  prokurë të posaçme.
  Të refuzojë kryerjen e veprimeve noteriale  në rastet që nuk lejohen nga legjislacioni i
  Republikës së Shqipërisë, nga konventa  ndërkombëtare, të pranuara përgjithësisht ose në të cilat ka aderuar vendi ynë.
  - Të këshillojë palët që të paraqiten në  organet e tatimit për efekt të pagimit të tatimit, në rastet
  kur kryen veprimet noteriale që kanë të  bëjnë me tjetërsimin e pronësisë.
  - Të përmirësojë vazhdimisht kualifikimin  e tij.
  - Të derdhë kuotën që caktohet çdo vit nga  Këshilli Kombëtar i Noterëve.
  - Të mbajë hapur zyrën noteriale sipas  rregullave të miratuara për këtë qëllim. Kur për shkaqe
  të përligjura noteri mungon për më shumë  se tre ditë, emëron një zëvendës të tij nga noterët e dhomës, gjithnjë duke  marrë pëlqimin e kryetarit të këshillit të dhomës së noterëve.
  
Neni 24
  Kur noteri e zhvillon veprimtarinë e tij  në kundërshtim me ligjin, ai është përgjegjës për dëmin e shkaktuar.
  
Neni 25
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 17)
  Noteri duhet të lidhë kontratë sigurimi  për përgjegjësinë e tij ndaj palëve të treta për shkak të ushtrimit të  veprimtarisë noteriale.
  
  
  KREU III
  FINANCIMI I VEPRIMTARISë NOTERIALE
  
  
  Neni 26
  (Shtuar paragrafi i dytë me ligjin  nr.8790, datë 10.5.2001, neni 12)
  (shfuqizuar paragrafi i dytë me ligjin  nr.9216, datë 1.4.2004, neni 18)
  
  Për kryerjen e akteve e të veprimeve  noteriale paguhet një tarifë e cila caktohet nga Ministria e Drejtësisë, duke  marrë edhe mendimin e Ministrisë së Financave dhe të Këshillit Kombëtar të  Noterisë. Tarifa afishohet në çdo zyrë noteriale.
  Këshilli i Ministrave, kur e sheh të  arsyeshme, mund t’i liberalizojë këto tarifa.
  
  Neni 27
  Burimi i financimeve të veprimtarisë  noteriale janë të ardhurat në të holla që merr noteri për kryerjen e akteve e  të veprimtarive noteriale.
  Të ardhurat që burojnë nga veprimtaria noteriale  e noterit, pasi paguhen taksat dhe detyrimet e tjera që parashikon ligji,  kalojnë në pronësi të noterit.
  
  Neni 28
  Kur personi fizik nuk është në gjendje të  përballojë shpërblimin e shpenzimet që kërkohen për kryerjen e veprimeve  noteriale mund të përjashtohet nga pagimi i tyre tërësisht a pjesërisht nga  vetë noteri, ose me vendim të këshillit të dhomës së noterëve të rrethit  gjyqësor.
  
  
  KREU IV
  ORGANIZIMI I PËRFAQËSIMIT PROFESIONAL TË  NOTERËVE
  
  
  
  Neni 29
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 18)
  
  Noterët organizohen profesionalisht në  nivel vendor nëpërmjet dhomave të noterisë që
  funksionojnë pranë një ose disa rretheve  gjyqësore dhe në nivel kombëtar në Dhomën Kombëtare të Noterisë, të cilat janë  persona juridikë.
  
  
Neni 30
  (ndryshuar me ligjin nr.9216, datë  1.4.2004, neni 19)
  Dhoma e noterisë në nivel vendor përbëhet  nga të gjithë noterët që janë caktuar të ushtrojnë veprimtarinë noteriale në  juridiksionin e saj.
  Numri minimal i noterëve për një rreth  gjyqësor caktohet bashkërisht nga Dhoma Kombëtare e Noterisë dhe Ministria e  Drejtësisë.
  Për çdo juridiksion të caktuar nga  Ministri i Drejtësisë, sipas nenit 16 të këtij ligji, nuk mund të ketë më shumë  se një dhomë noterie.
  Kur numri i noterëve të caktuar për një  rreth gjyqësor është më i vogël se numri minimal i tyre, i caktuar sipas  paragrafit të mësipërm, nuk mund të krijohet dhomë noterie. Noterët e këtij  rrethi gjyqësor anëtarësohen në dhomën e noterisë të rrethit gjyqësor më të  afërt, sipas përcaktimit të bërë nga Ministri i Drejtësisë, pasi të ketë marrë  mendimin me shkrim të Dhomës Kombëtare të Noterisë.
  
Neni 31
  Organet drejtuese të dhomës së noterëve  janë: Mbledhja e përgjithshme e noterëve dhe këshilli i dhomës së noterëve.
  
Neni 32
  Mbledhja e përgjithshme e dhonës së  noterëve thirret sipas rregullave të caktuara në statutin e dhomës, si dhe me  kërkesën e ministrit të Drejtësisë.
  Vendimet e mbledhjes së përgjithshme  merren me shumicë votash.
  Votimi bëhet në mënyrë të fshehtë.
  
Neni 33
  Kompetencat e mbledhjes së përgjithshme të  dhomës së noterëve përcaktohen në këtë ligj dhe në statutin e saj. Mbledhja e  përgjithshme ka edhe këto kompetenca:
  - Përfaqëson dhe mbron interesat e  noterëve që veprojnë në territorin e saj.
  - Ndihmon për funksionimin normal të  zyrave noteriale.
  - Vendos për ngritjen profesionale të  noterëve ose ndjek zbatimin e sigurimeve shoqërore të
  noterëve.
  - Zgjedh këshillin e dhomës, kryetarin e  nënkryetarin e saj.
  - Zgjedh anëtarët për në Dhomën Kombëtare  të Noterëve sipas normave të përfaqësimit të
  parshikuara në statut.
  - Miraton buxhetin e dhomës dhe rezultatet  vjetore.
  - Cakton kuotat që derdhin noterët në  llogarinë e dhomës së noterëve.
  
Neni 34
  Këshilli përbëhet nga 3-5 anëtarë, kur  dhoma përbëhet nga 1 deri 20 noterë, dhe 3-7 anëtarë, kur përbëhet nga mbi 20  noterë.
  Kryetari i këshillit të dhomës përfaqëson  këshillin dhe drejton gjithë veprimtarinë e këshillit.
  Kur kryetari mungon, këshilli përfaqësohet  nga nënkryetari.
  
Neni 35
  (ndryshuar pikat “1” dhe “4” me ligjin nr.8790,  datë 10.5.2001, neni 13)
  Këshilli i dhomës së noterisë ka këto  kompetenca:
  1.Vendos anëtarësimin në dhomën e  noterëve, të noterit të emëruar.
  2. Kujdeset për veprimtarinë e noterëve  dhe e kontrollon atë vetë ose dhe në bashkëpunim me
  ministrinë e Drejtësisë.
  3. Organizon kualifikimin e vazhdueshëm të  noterëve. Ndjek dhe kontrollon kryerjen e stazhit.
  4. Mbledh kuotat e anëtarëve dhe  administron pasurinë e dhomës.
  5. Thërret mbledhjen e përgjithshme dhe  zbaton vendimet e saj.
  6. Mban listat e noterëve të juridiksionit  të tij.
  7. Përmbush funksionet e tjera në pajtim  me këtë ligj dhe me statutin.
  
Neni 36
  Dhoma Kombëtare e Noterëve përbëhet nga  noterët e zgjedhur nga mbledhja e përgjithshme e dhomave të noterëve në rrethe  gjyqësore, në bazë të normave të përfaqësimit të caktuar në statutin tip.
 
 Neni 37
  Dhoma Kombëtare e Noterëve ka këto  kompetenca:
  1) Bashkërendon veprimtarinë e të gjithë  dhomave të noterëve të Republikës.
  2) Përfaqëson dhe mbron interesat e  dhomave të noterëve në organet shtetërore dhe në
  organizma të tjerë.
  3) Siguron mbrojtjen e të drejtave sociale  e profesionale të noterëve.
  4) Siguron rritjen e kualifikimit të  noterëve dhe të asistentëve.
  5) Harton rregullat deontologjike që  miratohen nga Ministria e Drejtësisë.
  6) Përfaqëson notariatin e Shqipërisë në  organizmat ndërkombëtarë.
  7) Miraton statutin tip të dhomave të  noterëve dhe rregulloren e tij të brendshme.
  
 Krijon një fond solidariteti në  favor të noterëve që nuk sigurojnë minimumin e të
  ardhurave.
  9) Cakton kuotat që do t’i derdhen  Këshillit Kombëtar për të realizuar veprimtarinë e tij.
 
 Neni 38
  Organi më i lartë i Dhomës Kombëtare të  Noterëve është mbledhja e përgjithshme e
  përfaqësuesve të dhomave të noterëve të  rretheve gjyqësore.
  Dhoma Kombëtare e Noterëve drejtohet nga  presidenti i Dhomës dhe Këshilli Kombëtar i saj që zgjidhet nga mbledhja e  përgjithshme. Këshilli Kombëtar është person juridik. Kompetencat e presidentit  dhe të Këshillit Kombëtar përcaktohen në statutin e Dhomës Kombëtare që  miratohet nga mbledhja e përgjithshme e Dhomës Kombëtare dhe nga ky ligj.
  
PJESA II
  VEPRIMTARIA E ZYRAVE NOTERIALE
  KREU I
  DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
  Neni 39
  Noteri ka këto kompetenca:
  a) Redakton aktet noteriale;
  b) bën njoftimin e kujtesje noteriale ose  të akteve të tjera jashtëgjyqësore;
  c) legalizon nënshkrimet e shtetasve të  vëna në akte të ndryshme;
  ç) harton kundërshtimet e kambialeve dhe  vërtetimin e mospagimit të çekut;
  d) vërteton datën e paraqitjes së  dokumenteve në zyrën e noterisë;
  dh) vërteton qënien e një personi dhe  qëndrimin e tij në një vend të caktuar;
  e) pranon për ruajtje dokumente të  personave fizikë e juridikë në zyrën noteriale;
  ë) lëshon kopje, shkurtime e pjesë të  akteve të depozituar në zyrën noteriale;
  f) vërteton se kopjet ose shkurtimet e  dokumenteve janë të njëjta me origjinalin e paraqitur
  nga të interesuarit;
  g) bën ose vërteton përkthime nga një  gjuhë në një tjetër;
  gj) redakton procesverbale e bën  inventare, duke përshkruar gjendjen e sendeve, sipas
  kërkesës së shtetasve dhe kur ngarkohen  nga gjykata;
  h) redakton deklarata e dokumente të  kërkuara nga persona të interesuar, si dhe akte e veprime
  të tjera, që sipas ligjit duhet të bëhen  nga noteri.
  
Neni 40
  Aktet noteriale të hartuara në pajtim me  ligjin, kanë fuqinë e akteve autentike.
  Gjatë redaktimit të një akti ose kryerjes  së një veprimi noterial noteri u bën të qartë palëve kërkesat e ligjit për  rastin konkret dhe, brenda kufijve të tij, ruan si interesat e palëve, ashtu  edhe ato të të tretëve.
  
Neni 41
  Noteri refuzon redaktimin e çdo akti,  përmbajtja e të cilit bie në kundërshtim të hapur me
  kërkesat e ligjit.
  Refuzimi bëhet me vendim të arsyetuar të  noterit dhe i njoftohet të interesuarit brenda pesë ditëve nga dita e  paraqitjes së kërkesës për redaktimin e aktit.
  Personat që kanë kërkuar redaktimin e  aktit ose që janë drejtpërdrejt të interesuar, brenda pesë ditëve nga dita e  njoftimit të këtij vendimi, mund të ankohen në gjykatën e rrethit gjyqësor, në  territorin e së cilës vepron zyera noteriale, e cila brenda pesë ditëve nga  paraqitja e ankesës vendos rreth çështjes.
  
Neni 42
  Noteri nuk mund të kryejë aktin noterial  kur:
  a) Merr pjesë vetë ose është i interesuar  në çështje;
  b) marrin pjesë në akt ose janë të  interesuar bashkëshortja, fëmijët dhe të afërmit e tjerë deri
  në shkallën e tretë, të birësuarit prej  tij, krushqia e afërt, si dhe kur është i interesuar personi, ndaj të cilit ai  kryen detyrën e kujdestarit.
  
KREU II
  MëNYRA E REDAKTIMIT TË AKTEVE
  Neni 43
  Aktet noteriale duhet të redaktohen  pastër, qartë dhe në mënyrë që të mos lënë vend për
  moskuptime e keqinterpretime.
  
Neni 44
  Aktet noteriale redaktohen në gjuhën  shqipe. Kur i interesuari, njëra ose të dyja palët, nuk e dinë gjuhën shqipe,  noteri kërkon ndihmën e një përkthyesi, që pranohet prej tij dhe prej palëve, i  cili përkthen gjithçka fjalë për fjalë dhe të gjitha këto përmenden në akt, ku  shënohet edhe deklarimi i personave se e kanë kuptuar përkthimin.
  `            Kur pala ose pjesëmarrësit në akt është i verbër, memec a shurdhmemec, noteri  vepron me ndihmën e një eksperti ose personi që di të komunikojë me ta. Akti  redaktohet pasi noteri sigurohet se gjithçka është sqaruar e mirëkuptuar dhe  kur përmbajtja e aktit i përgjigjet pikë për pikë vullnetit të palëve.
  
Neni 45
  Identiteti i çdo personi pjesëmarrës në  aktin noterial merret nëpërmjet letërnjoftimit ose të një dokumenti tjetër që  jep besim të plotë në këtë drejtim, përveç kur është i njohur prej tij. Noteri  duhet të sigurohet edhe për zotësinë e tyre të plotë për të vepruar. Kur ka  dyshim, kërkon e merr raport mjekësor. Të gjitha këto përmenden shprehimisht në  akt.
  
Neni 46
  Aktet nënshkruhen rregullisht nga palët  dhe nga pjesëmarrësit në akt në prani të noterit, duke shkruar emrin e mbiemrin  e plotë. Kur ndonjëra nga palët nuk di të shkruajë, autorizon të nënshkruajë  për të një person tjetër, për identitetin e të cilit noteri sigurohet njëlloj  si dhe për palët.
  Kur nënshkrimi vihet me alfabet jo të  shqipes, noteri sigurohet nëpërmjet një përkthyesi të njohur dhe të caktuar  prej tij. Noteri përmend në akt të gjitha veprimet e mësipërme.
  
Neni 47
  Personi i tretë, i interesuar në akt, nuk  mund të marrë pjesë në të si përkthyes, të dëshmojë ose të nënshkruajë për  palën.
  
Neni 48
  Shpenzimet noteriale përballohen  bashkërisht nga palët, përveç rasteve kur ato merren vesh ndryshe.
  
Neni 49
  (shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001,  neni 14)
  Akti noterial hartohet nga noteri në prani  të palëve.
  Akti noterial duhet të përmbajë:
  a) Ditën, muajin dhe vitin e redaktimit,  llojin e aktit dhe kur është rasti, orën dhe minutën e
  fillimit dhe atë të mbarimit të tij;
  b) vendin e redaktimit të tij dhe numrin e  repertorit e të koleksionit.
  c) emrin dhe mbiemrin e noterit dhe vendin  ku ndodhet zyra noteriale;
  ç) emrin dhe mbiemrin, emrin e atit,  datëlindjen, profesionin dhe vendbanimin e palëve,
  emërtimin dhe qendrën, kur është fjala për  person juridik; emrin, atësinë dhe mbiemrin e
  përfaqësuesve të tyre dhe të çdo personi  tjetër pjesëmarrës në akt, si dhe verifikimin e bërë nga noteri për identitetin  e palëve, zotësinë juridike dhe zotësinë e tyre për të vepruar.
  d) deklarimet e palëve dhe aktet që  paraqiten prej tyre;
  dh) tregimin e qartë të sendeve që  përbëjnë objektin e aktit me gjithë cilësitë dhe shenjat
  dalluese të tyre. Kur sendet janë të  paluajtshme, tregohen në përbërje të tyre vendi i ndodhjes dhe
  kufijtë e saktë;
  e) në akt përmenden ndodhi serioze që mund  të jenë vërtetuar gjatë redaktimit të tij, kur e
  kërkojnë palët;
  ë) faktin se noteri ua lexoi e u shpjegoi  aktin palëve dhe deklarimet e tyre se e kanë kuptuar
  dhe e pranojnë atë, si dhe faktin e vënies  së nënshkrimeve në prani të noterit; kur është rasti, akti duhet të përmbajë  edhe numrin e pagimin e ndonjë sasie parash të kryer në prani të tij;
  f) nënshkrimin e palëve të të gjithë  personave të pranishëm në akt, si dhe atë të noterit dhe
  vulën e tij.
  
Neni 50
  Në aktin noterial nuk lejohet të bëhen  prishje fjalësh e fjalish dhe as shkarravitje. Nëse
  lind nevoja për të hequr fjalë a fjali,  ato vihen në kllapa, nënvizohen dhe në vijim përmendet sa fjalë a fjali janë  hequr. Përbri tyre nënshkruajnë palët dhe noteri; ato nuk kanë vleftë dhe nuk  merren parasysh në tërësinë e aktit. Kur akti përbëhet nga disa faqe, ato duhen  numëruar e lidhur.
  
Neni 51
  Me kërkesën e palëve, akti noterial  hartohet në më shumë origjinale, prej të cilave, pasi
  mbahet në zyrën e noterisë, të tjerat u  dorëzohen palëve. Origjinalet e akteve ruhen në arkivin e
  noterisë dhe nuk mund të tërhiqen prej  tij, me përjashtim të rasteve kur këtë e kërkojnë gjykata a
  prokuroria. Në një rast të tillë vihet  shënim në dosjen nga u tërhoq akti. Këto organe, pasi pasqyrojnë çka u duhet  prej aktit në procesin hetimor ose gjyqësor, detyrohen t’ia kthejnë atë  noterisë.
  
KREU III
  AKTET DHE VEPRIMET NOTERIALE
  Testamenti 
  
Neni 52
  Kur testamenti kërkohet të bëhet me akt  noterial, trashëgimlënësi duhet të disponojë para
  noterit, i cili përpilon aktin përkatës,  sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj.
  Noteri pasi të ketë shënuar identitetin e  trashëgimlënësit, datën dhe orën e saktë të përpilimit
  të këtij akti, si dhe të jetë bindur për  zotësinë juridike për të vepruar të trashëgimlënësit, njofton atë kur disponimi  vjen në kundërshtim me ligjin, por ai nuk mund të hyjë në shqyrtimin e  çështjeve konkrete, si rrethi i personave të caktuar në testament si  trashëgimtarë, qënia e trashëgimlënësit si pronar i pasurisë së lënë në  trashëgim, e çështje të tjera të kësaj natyre.
  
Neni 53
  Kur noteri vihet në dijeni zyrtarisht nga  personat e interesuar për vdekjen e personit që ka bërë testamentin, mban një  procesverbal, në të cilin përmendet akti i vdekjes dhe bën kalimin e  testamentit në regjistrin e përgjithshëm të akteve noteriale.
  Njëkohësisht ai njofton me shkrim personat  për të cilët disponon testament.
  Aktet për tjetërsimin e pasurisë së paluajtshme 
  
Neni 54
  (Shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001,  neni 15)
  Akti noterial për tjetërsimin ose njohjen  e pronësisë mbi sende të paluajtshme, ose të një të drejte reale mbi to, kryhet  nga noteri, pasi të ketë verifikuar pronësinë e palës mbi sendin e
  paluajtshëm. Për këtë qëllim ajo i paraqet  noterit dokumentet e pronësisë të lëshuara nga organi
  kompetent dhe, kur sendi nuk figuron i  regjistruar, një vendim gjyqësor detyrimi për vërtetim
  pronësie.
  Noteri duhet të shënojë në akt verifikimin  e bërë.
  Vërtetimi i nënshkrimeve. 
  
Neni 55
  Vërtetimi i nënshkrimeve bëhet për akte  private që nuk përmbajnë lidhjen e një kontrate ose kryerjen e një veprimi  tjetër juridik. Vërtetimi bëhet në fund të aktit, pas nënshkrimeve, duke u bërë  shënimi nga noteri se personat u paraqitën personalisht dhe nënshkruan në prani  të tij ose pranuan se nënshkrimet janë të tyret.
  Vërtetimi i nënshkrimeve në kushte të  caktuara me ligj mund të bëhet edhe nga organe
  shtetërore.
  Vërtetimi i njësisë së kopjeve ose shkurtimeve me origjinalin. 
  
Neni 56
  Noteri bën vërtetimin e njësisë së kopjeve  ose të shkurtimeve të dokumenteve me origjinalin, pasi të ketë krahasuar  përmbajtjen e tyre. Noteri duhet të përmendë në vërtetim se nga kush është  paraqitur dokumenti, nga i cili është nxjerrë kopja a shkurtimi, nëse këto janë  nxjerrë nga një dokument origjinal apo nga ndonjë kopje tjetër, si dhe shënime  nëse këto kanë pasur korrigjime, shtesa, fshirje a shenja të tjera të veçanta.
  Lëshimi i kopjeve dhe i shkurtimit të akteve. 
  
Neni 57
  Për aktet dhe dokumentet e ndryshme që  ruhen në zyrën e noterisë, me kërkesën e të
  interesuarit, noteri lëshon kopje,  shkurtime e vërtetime të tyre, duke shënuar se kopjet e shkurtimet janë njësoj  me origjinalin dhe datën e lëshimit të tyre. Ndryshimet dhe shtesat e bëra në  origjinal sipas nenit 50 të këtij ligji, pasqyrohen në dokumentin që lëshohet.
  Vërtetimi i datës së paraqitjes së dokumenteve 
  
Neni 58
  Vërtetimi i datës së paraqitjes së një a  disa dokumenteve në zyrën noteriale bëhet duke u vënë shënimi nga noteri në  vetë dokumentin për personin që e ka paraqitur atë dhe datën e paraqitjes e,  kur kjo kërkohet, shënohet edhe ora e minuta e paraqitjes.
  Vërtetimi i qënies së një personi gjallë ose i vendqëndrimit të tij. 
  
Neni 59
  Fakti se një person është i gjallë ose ka  një vendqëndrim të caktuar bëhet nga noteri, kur
  personi paraqitet para tij ose kur noteri  shkon në vendin ku ndodhet personi dhe bën verifikimin e
  identitetit të tij, si dhe kur ka të dhëna  të pakontestueshme dhe noteri bindet për këtë fakt.
  Në vërtetim përmendet me saktësi data, ora  dhe minuta e qënies së personit.
  Pranimi për ruajtje i dokumenteve 
  
Neni 60
  Pranimi për ruajtje i dokumenteve në zyrën  e noterisë bëhet me kërkesën e personave të
  interesuar, ose kur parashikohet në  dispozita të veçanta. Pranimi i dokumenteve mund të bëhet edhe në zarfe të  mbyllura e të vulosura. Në një rast të tillë personi duhet të vërë nënshkrimin  e tij në zarf.
 
 Neni 61
  Për pranimin e dokumenteve për ruajtje  noteri mban një procesverbal, i cili përmban datën e pranimit, identitetin e  plotë të personit dhe përshkrimin e plotë të dokumentit të pranuar.           Noteri lëshon vërtetim për  pranimin e dokumentit.
  Dokumenti i dorëzohet vetë personit me  kërkesën e tij, ose të personit të caktuar prej tij në procesverbalin e  pranimit, personit që me ligj i njihet kjo e drejtë ose trashëgimtarëve të tij.
  Për kthimin e dokumentit mbahet  procesverbal nga noteri.
  
Neni 62
  Kur gjatë hartimit të një akti noterial  del e nevojshme që së bashku me aktin të pranohen për ruajtje edhe tituj me  vlerë ose fonde në monedhë të vendit a të huaj, me qëllim që ato t’i jepen një  personi të caktuar ose personave të tjerë që u njihet kjo e drejtë me ligj,  noteri i pranon ato, duke hapur në të njëjtën kohë një llogari bankare të  veçantë. Noteri mban një procesverbal, i cili përmban datën e pranimit,  identitetin e plotë të depozituesit, datën e lëshimit të fondeve të pranuara,  identitetin dhe drejtimin e banimit të përfituesit të këtij pranimi.
  Për marrjen e tyre lëshohet një dëftesë  nga noteri.
  Njoftimet e akteve jashtëgjyqësore 
  
Neni 63
  çdo person mund të kërkojë që noteri t’i  komunikojë një kujtesje, deklaratë a një dokument që ai çmon se ka efekte  juridike, një personi tjetër.
  Kërkuesi ose i dorëzon noterit dokumentin  që do të komunikohet, ose deklaron përpara tij. Në këtë rast noteri mban  procesverbalin përkatës, të cilin ia komunikon mandej personit ose palës  tjetër.
  Noteri i bën njoftimet me letër të  porositur. Po në këtë mënyrë i njofton edhe përgjigjen.
  Për të gjitha këto ai mban një  procesverbal, të cilin e arkivon në dosjen e njoftimeve.
  Komunikimi mund të kryhet edhe me  telegrame, fakse e telefakse, sipas rregullave të caktuara nga ministri i  Drejtësisë.
  Kundërshtimi i çekut dhe i kambialit 
  
Neni 64
  Kundërshtimi i çekut dhe i kambialit bëhet  sipas rregullave të parashikuara në ligjin përkatës.
  Kryerja dhe vërtetimi i përkthimeve. 
  
Neni 65
  (ndryshuar me ligjin nr.8790, datë  10.5.2001, neni 16)
  Përkthimi i një dokumenti nga një gjuhë e  huaj në gjuhën shqipe dhe anasjelltas bëhet nga vetë noteri sipas ligjit dhe,  kur ky nuk e di gjuhën e huaj, bëhet nga një përkthyes i njohur nga noteri  sipas ligjit. Përkthimi shkruhet në fund ose përbri dokumentit dhe nënshkruhet  përkatësisht nga noteri sipas ligjit ose përkthyesi. Nënshkrimi i këtij të  fundit vërtetohet nga noteri sipas ligjit.
  Kryerja e inventarëve 
 
 Neni 66
  Noteri, me kërkesën e shtetasve, kur e  ngarkon ligji ose gjykata, kryen inventare të pasurisë, bën përshkrimin e  gjendjes së sendeve dhe kryen veprime të tjera të kësaj natyre, duke mbajtur  procesverbal sipas kërkesave të këtij ligji.
  
KREU IV
  PAVLEFSHMËRIA E AKTEVE DHE E VEPRIMEVE  NOTERIALE DHE
  REGJISTRAT E NOTERISË
  Aktet dhe veprimet noteriale të pavlefshme 
  
  Neni 67
  (riformuluar shkronja ”e”me ligjin  nr.9216, datë 1.4.2004, neni 21)
  
  Janë të pavlefshme aktet dhe veprimet  juridike, kur:
  a) kryerja e tyre është në kompetencën e  një organi tjetër shtetëror;
  b) në aktin ose në veprimin noterial kanë  marrë pjesë personat që tregohen në nenin 42 të këtij
  ligji;
  c) akti noterial përmban disponim në dobi  të personave, për të cilët parashikohen ndalime
  sipas nenit 42 të këtij ligji;
  ç) akti noterial ose vërtetimi i  nënshkrimeve janë bërë pa qenë të pranishëm personalisht palët,
  ose përfaqësuesit e tyre me prokurë;
  d) noteri nuk u ka lexuar palëve  përmbajtjen e aktit noterial;
  dh) në aktin noterial nuk tregohet  identiteti i palëve, data dhe vendi ku është bërë;
  e) akti ose veprimi noterial nuk përmban  nënshkrimin e palëve ose nuk është nënshkruar
  dhe vulosur me të dyja vulat nga noteri.
  ë) akti noterial është hartuar pa u  respektuar rregullat e parashikuara nga nenet 43 deri 46 të
  këtij ligji.
  
  
Neni 68
  Pavlefshmëria e aktit ose e veprimit  noterial mund të kërkohet nga personat që kanë marrë pjesë në hartimin e tij  dhe nga çdo person që heq të drejta e merr përsipër detyrime prej tyre.
  Kërkesa shqyrtohet nga gjykata e rrethit  gjyqësor, në territorin e së cilës e ushtron
  veprimtarinë zyra noteriale që ka kryer  këto akte a veprime noteriale.
  
Neni 69
  Në vendimin e gjykatës që deklaron të  pavlefshëm një akt noterial, urdhërohet zyra përkatëse e noterisë të bëjë  shënimet e duhura në origjinalin e aktit, i cili ndodhet i depozituar në këtë  zyrë.
  Regjistrat noteriale 
  
Neni 70
  Në çdo zyrë noteriale është e detyrueshme  të mbahen:
  a) regjistri i përgjithshëm ku  regjistrohen të gjitha aktet dhe veprimet noteriale;
  b) regjistri i testamenteve
  c) regjistri i depozitimit të parave ose  të vlerave të tjera.
  Me urdhër të kryetarit të gjykatës së  rrethit gjyqësor, një gjyqtar i kësaj gjykate bën
  numërimin e faqeve të regjistrave të  mësipërm dhe vë shënimin përkatës në fillim e në fund të tyre, duke i  nënshkruar e vulosur me vulën e gjykatës.
  Regjistrat shoqërohen me indeksin  alfabetik të pjesëmarrësve në aktin ose veprimin noterial.
  
Neni 71
  (shtuar me ligjin nr.8790, datë 10.5.2001,  neni 17)
  Ministri i Drejtësisë nxjerr udhëzim të  veçantë për eivdencimin administrimin dhe ruajtjen e akteve e të dokumenteve  noteriale, si dhe për organizimin, funksionimin dhe ruajtjen e arkivave  noterialë.
 
 KREU V
  DISPOZITA Të FUNDIT
  
Neni 72
  Kreu XVII, nenet 220 deri 225 të kodit të  procedurës civile të Republikës së Shqipërisë,
  miratuar me ligjin nr.6341, datë  27.6.1981, si dhe çdo dispozitë tjetër që bie në kundërshtim me këtë ligj,  shfuqizohen.
  
Neni 73
  Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në  Fletoren Zyrtare dhe ka efekt prapaveprues përsa I përket provimit të  kualifikimit të parashikuar nga shkronja “c” e nenit 2.
  Dispozitë e parashikuar me ligjin .9216,  datë 1.4.2004
  
Neni 22
  Në përjashtim të kushteve dhe procedurave  për plotësimin e vendit vakant, sipas neneve 3/a dhe 3/ç të këtij ligji, si dhe  të administrimit dhe marrjes në dorëzim të regjistrave dhe akteve noteriale,  sipas nenit 20 të tij, plotësimi i vendit vakant që krijohet për shkak të  heqjes dorë nga ushtrimi I profesionit, plotësimit të moshës 65 vjeç ose  vdekjes së noterit, i ofrohet nga Ministri i Drejtësisë bashkëshortes/bashkëshortit  ose fëmijëve të tij/saj, nëse ata fitojnë mbi 80 për qind të pikëve të  konkurrimit ose ushtrojnë profesionin e noterit.
  Në rastin e parashikuar në paragrafin e  mësipërm, noteri ka të drejtën të kërkojë t’i dorëzohen regjistrat dhe aktet  noteriale të arkivit të noterit që nuk ushtron më profesionin e tij.
 
 Neni 24
  Dispozita kalimtare të parashikuara me ligjin nr.9216, datë 1.4.2004 
  Periudha e ushtrimit të veprimtarisë së  stazhierit ose asistentit, përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, është e  vlefshme për efekt të ecurisë së afatit dyvjeçar të punës së asistentit.
 
 Neni 25
  Ngarkohen Ministri i Drejtësisë dhe Dhoma  Kombëtare e Noterisë të nxjerrin aktet nënligjore në zbatim të neneve 3/c  paragrafi i fundit, 16 paragrafi i fundit dhe 17 paragrafi i fundit.
  
  
  Ligj nr.7829, datë 1.6.1994 shpallur me dekretin nr.863, datë 14.6.1994 të  Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha. 
  Botuar në Fletoren Zyrtare nr.7, faqe 361
  
  Ligj nr.7920, datë 19.4.1995 shpallur me dekretin nr.1092, datë 4.5.1995 të  Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha 
  Botuar në Fletoren Zyrtare nr.11, faqe 451
  
  Ligj nr.8790, datë 10.5.2001 shpallur me dekretin nr.3024 datë, 24.5.2001,  të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani 
  Botuar në Fletoren Zyrtare nr.29, faqe 889
  
  Ligj nr.9216, date 1.4.2004 shpallur me dekretin nr.4213 datë,26.4.2004 ,  të Presidentit të 
  Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu 
  Botuar në Fletoren Zyrtare nr.28, faqe 2421
